Vepra teatrore “Oh ato ditë të bukura” është premiera e radhës në teatrin Metropol. Vepra e autorit Samuel Beckett vjen premierë me regji nga Arben Kumbaro. Vepra, e cila është cilësuar si një nga më të njohurat e teatrit modern botëror, do të interpretohet nga “Mjeshtre e Madhe” e skenës aktorja Yllka Mujo, shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur Sokol Angjeli. Teatri Metropol shprehet në materialin rreth veprës, se duke qenë se jetojmë brenda mundësive krejtësisht të limituara fizike, kërkesat që ka ky projekt e bëjnë krejtësisht të mundur realizimin e tij. “Vepra ka vlera të jashtëzakonshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore”, thuhet për shfaqjen. Në materialin e shfaqjes nga teatri, regjisori Arben Kumbaro shprehet për rikthim të shpresës. “Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë”, thotë regjisori i njohur Arben Kumbaro. Premiera do të jetë në datën 8 tetor dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit tetor në skenën e Teatrit Metropol. “Oh ato ditë të bukura” e Samuel Beckett është një pjesë me dy akte. Ajo ka marrë vlerësimin e mbarë kritikës botërore dhe vetë autori është fitues i çmimit “Nobel”. Disa prej tyre e kanë cilësuar si një ndër pjesët më të mira të shkruara në të gjitha kohërat. Ajo i takon teatrit absurd dhe vëniet e saj kanë njohur skenat e rëndësishme të shumë teatrove në botë. Vepra është kryesisht një monodramë ku personazhi kryesor Vini shpesh krahasohet me rëndësinë, që ka Hamleti në teatër. Regjia Arben Kumbaro, as. regjia Klesta Shero, formulimi muzikor Endri Sina, skenografia Adrian Kapo, efekte speciale Andi Kongo dhe grimi Marinela Halilaj. Vepra është në skenë në datat 8, 9, 10, 15, 16, 17, 22, 23, 24, 29, 30, 31 tetor. Kjo premierë teatrore vjen në skenë në vijim të sezonit artistik të Metropol.
Beckett, themelues i teatrit absurd
Samuel Beckett është një nga shkrimtarët modernë të shekullit të XX, njëherësh themelues i teatrit absurd. Beckett (lindi më 13 prill 1906- u nda nga jeta më 22 dhjetor 1989) ishte një shkrimtar avangrardist irlandez, dramaturg, skenarist, drejtor teatri, poet, i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në Paris. Ai ka shkruar në të dyja gjuhët; frëngjisht dhe anglisht. Beckett është ndër shkrimtarët më me ndikim të shekullit të XX. Vepra e tij na sjell një këndvështrim tragjikomik të ekzistencës njerëzore, shpesh herë të shoqëruar me një komedi të zezë dhe humor vrasës, dhe në fundin e karrierës së tij si shkrimtar bëhet në mënyrë rritëse minimalist. Ai konsiderohet një nga shkrimtarët e fundit modern dhe figura kyçe e asaj që Martin Esslin e quajti teatri absurd. Samuel Beckett ka shkruar shumë drama, romane, tregime dhe libra me poezi. Në shqip janë përkthyer të paktën 6 libra të tij







































