Kombëtarja do të luajë në fund të kësaj jave me Hungarinë, në transfertë, pikërisht më 9 tetor, e 3 ditë më pas ndaj Polonisë në Tiranë, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit “Katar-2022”, në grupin I të zonës UEFA. Natyrisht që do të jetë shumë e vështirë për kuqezinjtë të marrin maksimumin, por në futboll ndodhin edhe mrekulli dhe për momentin përfaqësueses tonë i duhet të ruajë pozitat e saj si vend i dytë në grup. Duke komentuar në rolin e specialistit pritshmëritë nga këto dy takime, tekniku Ernest Gjoka evidenton faktin se Kombëtarja e tanishme është më cilësore sesa ajo që kishte De Biazi, por ai thotë se në grupin I, përveç Anglisë, edhe Polonia e Hungaria qëndrojnë më lart. E megjithatë, ai e pranon se në futboll ka surpriza dhe Shqipëria mund ta bëjë këtë surprizë. Nga ana tjetër, në intervistën e dhënë për gazetën “SOT”, Gjoka analizon javët e para të Superiores, rivalitetin dhe impaktin e VAR-it, pa lënë pas dore problemet në infrastrukturën e moshave etj.
– Ju drejtuat Shkëndijën e Tetovës në një moment të vështirë, e më pas u larguat prej saj. A keni ndonjë projekt për të ardhmen, domethënë a keni kontakt me ndonjë klub?
Nuk kam ende asgjë serioze. Në fakt, jam në diskutime, bëhet fjalë për jashtë vendit, por për momentin nuk ka asgjë konkrete të realizuar. Siç e dini, vij pas një eksperience dyvjeçare në krye të Shkëndijës së Tetovës, ku fitova një titull kampion, ku u përballëm dhe me vështirësi, por tani po pres një eksperiencë të re.
– A ia ka vlejtur eksperienca me Shkëndijën? A është trajneri shqiptar i aftë të drejtojë në kampionate të tjera?
Unë mendoj se ka qenë një eksperiencë shumë e vlefshme. Nuk është e lehtë për një trajner shqiptar të dalë jashtë dhe të përshtatet në një kampionat tjetër, me një koncept ndryshe për futbollin, me një filozofi të vetën, për më tepër në një vit me vështirësi si pasojë e pandemisë, në sezonin tim të parë. Më pas arritëm ta fitonim titullin me 16 pikë diferencë, prandaj them që ka qenë një eksperiencë e vlefshme. Nga ana tjetër, ka qenë një gjë e mirë që një trajner shqiptar fiton një titull jashtë vendit, nuk ndodh shpesh kjo, ishte rasti i parë. Në pikëpamjen time, trajneri shqiptar është i aftë të drejtojë në një kampionat jashtë vendit.
– Janë luajtur vetëm 4 javë në Kategorinë Superiore, pak ndeshje akoma, por disa sinjale janë dhënë. Cili është mendimi juaj për kampionatin shqiptar?
Është shumë herët për të dhënë përllogaritje, por ka nisur si garë e fortë, e zjarrtë. Në fakt, nga këto pak ndeshje kuptohet që nuk ka ekip që bën diferencën, që të jetë mbi të tjerët. Ka disa skuadra që më pëlqejnë, si Teuta, Vllaznia, por edhe Dinamo që më është dukur e organizuar etj. Pra, them se është një kampionat i fortë se ka shumë ekipe që pretendojnë të jenë në majë. Nëse është fjala për pretendimet për trofe, gjykoj se është tepër herët për të folur për këtë temë. Ajo që më gëzon lidhet me shenjat dhe shenjat janë për një kampionat cilësor e pozitiv.
– Ka një problem futbolli shqiptar, që lidhet me investimin e paktë tek moshat. Ka pak lojtarë që prodhon kampionati dhe më shumë spikasin të huajt. Çfarë mungon?
Shqipëria është vend i vogël, nuk mund të presim një numër të jashtëzakonshëm lojtarësh. Një vend i vogël do të prodhojë pak lojtarë. Por edhe pse vend i vogël, disa lojtarë të dalë nga kampionati shqiptar kanë spikatur jashtë vendit. Natyrisht, akademitë e klubeve duhet të zhvillohen më shumë por që të ndodhë kjo duhen investime afatgjata. Infrastruktura e grupmoshave sot është një handikap. Sa u takon të huajve, ata vijnë dhe rrisin nivelin e garës. Kur janë cilësorë janë të mirëseardhur, sigurisht.
– Për herë të parë në Shqipëri aplikohet këtë sezon video asistenti i gjyqtarit, njohur ndryshe edhe si VAR, një teknologji që po përdoret gjerësisht në kompeticionet e mëdha të UEFA-s prej vitesh tashmë. Si ju është dukur aplikimi i saj deri tani?
Teknologjia VAR ishte e domosdoshme tek ne, për shumë arsye, por kryesorja është se arbitrat tek ne gjykohen e paragjykohen. Në këto katër javë të para, përdorimi i VAR-it ka qenë pozitiv dhe nuk ka komplekse. Shumë situata të vështira që krijoheshin më parë me arbitrin gjatë lojës tani zgjidhen nëpërmjet teknologjisë dhe në këtë drejtim ka më pak akuza dhe më shumë besim tek loja dhe ndershmëria e saj. VAR eliminon konfliktet dhe kjo është pozitive.
– E megjithatë, pavarësisht përdorimit të VAR-it, ka pasur sërish debate, jo një penallti këtu, jo një goditje atje… Duket se çështja është tek trajnimi i stafit përkatës, mungesa e profesionalizmit…
Nuk besoj se është kjo çështja. Unë e theksoj se VAR ka sjellë gjëra pozitive në kampionatin tonë, ishte një lëvizje e domosdoshme. Është një zhvillim modern, bashkëkohor, për futbollin tonë. Natyrisht debate do të ketë, nuk ka gjë që është në perfeksion, as futbolli shqiptar nuk është në perfeksion. VAR ka gabuar edhe në nivele shumë të larta të futbollit, sikurse ishte ndeshja e Milanit në Champions. Por, e theksoj, duhet të shohim anën pozitive dhe përfitimet e aplikimit të këtij sistemi.
– Ju folët pak për javët e para të garës, por a mund të na thoni ndonjë skuadër që shihet pretendente për titullin?
Është krejtësisht e pavend të bëhen llogari për sezonin, sepse është shumë herët, janë luajtur vetëm 4 javë të kampionatit. Askush nuk kund ta parashikojë se si do të shkojnë gjërat në vijim. Varet se cila skuadër do të ketë qëndrueshmëri më shumë dhe potencial në rritje gjatë rrugës. Unë e theksova dhe më lart që pozitiv është fakti që ka shumë skuadra që rivalizojnë. Shoh që janë 7 ekipe në garë për 4 vende që marrin pjesë në Europë. Pra, është starti dhe duhet ende të presim për të parë ndonjë skuadër që bën diferencë.
– Të flasim pak për Kombëtaren. Këtë muaj ajo luan dy ndeshje përcaktuese në grupin I eliminator për Botërorin e vitit 2022. Janë dy ndeshje ndaj skuadrave direkte. Çfarë prisnin nga ekipi në këto takime dhe, në pikëpamjen tuaj, si mund të përkufizohet puna e trajnerit Reja?
Së pari, mendoj se është e padenjë të komentosh punën e një kolegu, sepse përgjithësisht trajnerët e ruajnë njëri-tjetrin. Gjithsesi, në këndvështrimin tim Reja ka punuar mirë, një seleksionues i mirë dhe i disiplinuar, por ka dhe një grup të mirë, sepse mbi 6 lojtarë i luajnë në Serinë A italiane, diçka shumë pozitive për një grup. Është hera e parë që ka kaq shumë lojtarë të Kombëtares që luajnë në elitë, shumica titullarë. Sa i takon përballjeve të radhës, unë gjykoj se do të jenë takime shumë të vështira, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet të pranojmë ndërkohë se në grupin I, Anglia, Polonia dhe Hungaria janë më lart se ne, domethënë janë skuadra më cilësore, por në futboll mund të ndodhin edhe të papritura, ndodh gjithçka. Kemi bërë një kompeticion shumë të mirë deri tani, por unë mendoj se nuk do të jetë fundi i botës edhe sikur t’i humbasim këto ndeshje e të mos e realizojmë objektivin. Nga ana tjetër, shanset tona janë, pasi ky grup është më i mirë sesa ai që kishte De Biazi. Ka shumë lojtarë të përfaqësueses që luajnë titullarë në klube dhe kampionate elitare. Pra pretendimet i kemi. E megjithatë, teksa ne pretendojmë maksimumin, nuk duhet të harrojmë se nga vijmë, e sa kohë na duhet të shkojmë aq lart. Shpresojmë të bëhet më e mira në këto duelet e radhës.
– Ka ndonjë lojtar që ju ka lënë mbresa pozitive në ekipin përfaqësues?
Ka shumë lojtarë që më pëlqejnë, unë e thashë që ky është grup më i mirë nga ai që kishte De Biazi. Më pëlqen Gjimshiti, Hysaj, Cikalleshi, Bajrami, por edhe Uzuni. Kombëtarja ka një bosht me lojtarë cilësorë, që mund të na bëjnë krenarë.
– A mendoni se politika për të ftuar lojtarët me origjinë shqiptare në radhët e Kombëtares ka rezultuar efikase plotësisht, apo ka vend për diskutime?
Politika e federatës për të angazhuar në përfaqësuese lojtarët me origjinë shqiptare ka disa vite që zbatohet dhe në pikëpamjen time ka qenë frytdhënëse dhe zgjedhja e duhur. Mund të ketë ndonjë lojtar që ndoshta ka dashur më shumë shanse, por në tërësi, të gjithëve u është dhënë mundësia. Lojtarët cilësorë janë ftuar e kanë luajtur dhe kanë treguar cilësi. Ndoshta ndonjë element edhe mund të diskutohet si rast, por e përgjithshmja në këtë drejtim ka qenë pozitive dhe me efekte afatgjata.
– Ju jeni trajner dhe e njihni futbollin shqiptar. Të ushtrosh këtë profesion kërkohet një licencë dhe FSHF ka shpërndarë certifikata me kurset UEFA A, B e me radhë. Pra janë dhënë shumë diploma trajneri, por deshëm të dinim, a tregojnë ato nivelin e vërtetë përgatitor?
Nuk jam prej atyre që mendon se licenca të bën trajner të aftë. Që të bëhesh trajner të vlen fusha, eksperienca jetësore me futbollin. E megjithatë, kurse dhe diplomimet janë pjesë e certifikimit, ana ligjore dhe profesionale e futbollit e në këtë drejtim FSHF ka punuar mirë dhe është mjaft pozitive që trajnon. Nuk duhet të harrojmë se këtu kanë ardhur e dhënë leksione lektorë të zotë nga jashtë. Pajisja me diplomën është e domosdoshme, edhe pse kjo shumicë diplomash nuk është domosdoshmëri që të tregojnë cilësi. Por edhe cilësi do të ketë. Dua të them, se mund të jenë shumë të diplomuar, por jo të gjithë mund të bëhen trajnerë cilësorë e të mëdhenj. Megjithatë, mendoj se kjo politikë e federatës duhet të vazhdojë, sepse përmirësohet në vazhdimësi kuadri teknik.
– Ju përmendët më sipër infrastrukturën e moshave, një handikap, por është fakt se qeveria ka ndërtuar disa impiante sportive këto vite…
Janë ndërtuar, nuk e mohoj, por kemi nevojë për shumë më tepër, na duhen fusha futbolli tek moshat. Nuk zhvillohet futbolli i fëmijëve pa infrastrukturë, duhet të ecim para në këtë drejtim e të shtojmë sistemin e grumbullimit. Duhet të kuptojmë që çdo ekip në Superiore ka nevojë për 2-3 fusha, me bar natyral e artificial.
Intervistoi: Adriatik BALLA







































