Administratori i OSHEE Adrian Çela, ka folur sa i përket rritjes së çmimit të energjisë. Në një intervistë, ai u shpreh se parashikimet për rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve në tregun e energjisë gjatë pjesës së mbetur të vitit 2021, pritet që të rrisin kostot e blerjes së energjisë dhe ndikimin në performancën financiare të shoqërisë. Ai bëri edhe një pasqyrim të çmimit dhe humbjeve në rrjet për muajt e kaluar të këtij viti. “Periudha 7 mujore e vitit 2021, kur furnizimi me energji elektrike nga KESH dhe çmimet në tregun e energjisë ishin normalë, përmirësoi ndjeshëm performancën e shoqërisë, me një fitim prej rreth 2.7 miliardë lekësh. Humbjet në rrjetin e energjisë janë ulur sipas parashikimit dhe pritet të jenë mesatarisht 20.5% për vitin 2021, kurse norma e arkëtimit është përmirësuar në nivelin e planifikuar prej 95%. Megjithatë, parashikimet për rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve në tregun e energjisë gjatë pjesës së mbetur të vitit pritet të rrisin kostot e blerjes së energjisë dhe ndikimin në performancën financiare të shoqërisë”, tha ai. Ndër të tjera, Çela pohoi se OSHEE u përball edhe me situata të jashtëzakonshme, si pandemia apo thatësira, efektet e të cilave janë ndier edhe në shoqëri të tjera, jo vetëm në sektorin energjetik. Çela theksoi, se po ashtu, u hasën edhe vështirësi të cilat sollën uljen e të ardhurave për njësi. “Edhe në kushtet e vështira të pandemisë së Covid-19, shoqëria OSHEE arriti të sigurojë furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike. Pavarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme të menaxhimit të shoqërisë, vështirësitë e krijuara sollën pasoja në: Uljen e të ardhurave për njësi të shitur, për shkak se ndryshoi struktura e shitjes (klientët familjarë, të cilët kanë çmim të ulët rritën konsumin dhe bizneset, të cilat kanë çmim më të lartë, ulën konsumin). Uljen e normës së arkëtimit të të ardhurave nga 97.5% në vitin 2019 në 93.4% në vitin 2020”, tha ai.







































