Deputeti demokrat Edmond Spaho i është bashkuar Berishës në lëvizjen e këtij të fundit kundër Bashës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka folur për situatën në PD, duke e cilësuar si kritike. Sipas tij, dëgjimi i anëtarësisë është rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë. “Unë “Foltoren” nuk e përkrah për emocion, por për idetë, frymën e lirisë që shpërndan dhe kohezionin. PD është aset i çmuar, që më së pari i përket demokratëve të çdo niveli, të cilët duhet të ndihen të përfaqësuar. Të nderuar miq, mandati i tretë në opozitë për fat të keq ka nisur sipas shprehjes “sezoni i ri avaz i vjetër”. Kemi nevojë për një platformë të mirëmenduar se si do ta mundim Edi Ramën në zgjedhje. Platforma nuk imponohet, ajo diskutohet me ata që do e zbatojnë dhe më pas miratohet në organet drejtuese të PD. E njëjta gjë vlen dhe duhet zbatuar edhe për reformat që synohet të ndërmerren. Në këto kohë të vështira, PD më shume se gjithçka, ka nevojë për lidership. Lidershipi duhet t’i dalë për zot sfidave, të mbrojë vendimet që merr dhe të jetë në krye të anëtarësisë për t’i çuar ata në fitore”, ka thënë Spaho. Por ndaj tij ka reaguar ashpër deputeti Ervin Salianji. Ai ia ka numëruar të gjitha Spahos. “Çfarë do më shumë nga PD Mondi? Ka qenë deputet, nënkryetar Parlamenti, kryetar i Grupit Parlamentar, President i Federatës së Futbollit. Po përgjegjësi nëse ka Basha, a nuk ka edhe ky? Ka qenë drejtues politik në 2017, në qarkun me rezultatin më të dobët të PD-së. Këta nuk kanë folur një herë të vetme, tani u bë i keq Basha për interesa të këtyre? Vijmë te zoti Bylykbashi. Është një prej deputetëve të rëndësishëm të PD, por çfarë ka thënë ai? Ai është në të drejtën e vet të jetë në organizimin e Berishës. Me zotin Paloka nuk më duket se ka ndarje”, tha Salianji.







































