Google search engine
Home Sport Rikthehet pas 12 vjetësh derbi Dinamo-Partizani, dueli luhet në Elbasan dhe mbyllet...

Rikthehet pas 12 vjetësh derbi Dinamo-Partizani, dueli luhet në Elbasan dhe mbyllet me “paqe”

0
262

Kryedueli i javës së 4-t të Kategorisë Superiore u luajt dje në “Elbasan Arena”, midis Dinamos dhe Partizanit, takim që mori një vëmendje maksimale për shkak se këto dy skuadra nuk luanin një derbi që prej prillit të vitit 2009, pra prej më shumë se 12 vjetësh. Dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar kaluan një kalvar të gjatë peripecish e krizash, ku u dëmtuan komplekset e tyre sportive, ndërkohë që u desh ardhja e biznesmenëve të fuqishëm që të riktheheshin sërish në elitë, të kuqtë prej shumë vitesh tashmë, e tani së fundmi edhe Dinamo pas gati një dekade. Kjo ndeshje ishte e mirë dhe në lartësinë e emrit të të dyja skuadrave.

Pjesa e parë

Takimi nisi i qetë dhe me një rast rreziku të Partizanit por që nuk u shfrytëzua nga sulmuesit e kuq. Më pas është Dinamo që krijon dy-tre raste të mira, por edhe bluve u mungoi saktësia në veprime. Ndeshja mori rrjedhë tjetër në minutën e 15-të, kur Agim Ibraimi shënoi një gol të bukur, duke mos i dhënë asnjë shans Alban Hoxhës. Ky gol që u festua me pompozitet nga lojtarët e “nëndetëses”, i dha një avantazh të dukshëm Dinamos, teksa çorientoi Partizanin. Të kuqtë përpiqen të reagojnë, por s’kanë fuqi. Ndërkohë, Ibrahimi lëshon një “silur” të fuqishëm nga larg, por gjeti të përgatitur portierin Hoxha që neutralizoi goditjen. Në minutën e 25-të vjen rasti i parë i madh për Partizanin, kur Tedi Cara goditi mirë e bukur dhe u bë gati të festonte, por portieri Harizaj shpëtoi Dinamon nga goli. Më pas janë Sifranac, Beliza dhe Musta që regjistrojnë njëri pas tjetrit portën dinamovite, por fati ishte me blutë në ato momente. Në minutën e 40-të ?inedu i Dinamos pretendon penallti, por nuk është i një mendjeje me të gjyqtari Cjapi. Pjesa e parë mbyllet në epërsi të Dinamos me shifrat 1-0, por me një episod që la gjurmë në këtë takim. Sofranac ndërhyn ashpër ndaj Stenio Zhuniorit dhe pasi u konsultua me VAR, gjyqtari i dha karton të kuq, duke e lënë Dinamon me 10 vetë.

Pjesa e dytë

Fraksioni i dytë i lojës nis me një temp më të lartë dhe me mjaft agresivitet nga të dy ekipet. Trajnerët bëjnë ndryshime në formacion, ku Shkëmbi fuqizoi mbrojtjen, ndërsa të kuqtë shtuan forcën në vijën ofensive. Loja bëhet interesante. Partizani krijon shumë raste, por portieri Harizaj ishte në ditën e tij më të mirë. Tre herë tentoi të gjejë rrjetën Tedi Cara, po aq herë u ndal nga Harizaj. Por Cara nuk dorëzohet dhe bëhet protagonist absolut i takimit. Në minutën e 74-t ai fiton penallti pasi u ndal në mënyrë të parregullt nga Sidibe. Nga pika e bardhë e 11-metërshit gjuan saktë Stenio Zhunior, që barazon shifrat 1-1. Trajneri Daja freskon skuadrën, duke dashur që ta përmbysë takimin. Falë një grupi më cilësor dhe të motivuar, plus në epërsi numerike, Partizani hidhet i gjithi në kërkim të golit të fitores, por “demat” nxitojnë në pasimin e fudnit dhe goditjen finale. Kurse Dinamo ishte shumë pranë golit në 90’, por sfera përfundon jashtë. Mbyllet pa fitues kjo ndeshje, barazim 1-1. Nuk fituan skuadrat por fitoi futbolli. Sot luhen dy takime të tjera të javës së 4-t e të dielën dy ndeshjet e fundit (shih tabelën shoqëruese).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here