Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për hartën e re gjyqësore. Prej një viti ka pasur përplasje mes tyre pasi propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk u mbështet nga qeveria. Drafti ka mbetur pezull që në dhjetor të vitit që lamë pas, por duket se palët janë pranë konsensusit. Pasi u zhvillua konferenca “Roli i Institucioneve Vetëqeverisëse të Drejtësisë”, në një prononcim për mediat ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se miratimi i hartës së re gjyqësore është një nga prioritetet e qeverisë. Ministri deklaroi se është bërë një rishikim nga grupi i punës së KLSH dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe sipas tij pas këtij rishikimi do të vijohet më tej me hartën e re gjyqësore. “Miratimi i hartës së re gjyqësore, si një mekanizëm efikas për riorganizimin e sistemit gjyqësor është një nga prioritetet e punës së Ministrisë së Drejtësisë. Natyrisht, ne e kemi bërë të qartë se harta është prerogativë e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në dijeninë time, dje ka patur një rishikim të projektit të hartës së re gjyqësore në Këshillin e Lartë Gjyqësor, pra nga grupi i punës i ngritur nga KLGJ, ku Ministria e Drejtësisë ka përfaqësuesit e saj në nivelin më të lartë dhe shumë shpejt harta e re gjyqësore do të vijë në Ministrinë e Drejtësisë pas rishikimit që është bërë dhe ne do të vijojmë më tej me hartën e re gjyqësore”, tha Manja. Ministri tha se procesi i miratimit për një hartë të re gjyqësore nuk është një proces i lehtë dhe merr goxha kohë pasi ka të bëjë me riorganizimin e sistemit të gjykatave edhe të prokurorisë. Megjithatë ai deklaroi se një hartë e re gjyqësore do t’u vijë akoma dhe më shumë në ndihmë qytetarëve. Manja tha se qëllimi i tij është ofrimi i shërbimeve gjyqësore atje ku janë edhe gjykatat. Sipas tij, thelbi i hartës së re gjyqësore, është përqendrimi i trupës gjyqësore. “Procesi i miratimit të hartës së gjyqësorit është një proces jo i lehtë, sepse ka të bëjë me riorganizimin e sistemit të gjykatave edhe të prokurorisë, sepse prokuroritë funksionojnë pranë gjykatave. Është një proces që merr në konsideratë shumë faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me aksesin e shërbimeve të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë. Pra, le të themi, duhet të kemi një hartë të re gjyqësore që i vjen në ndihmë plotësimit të vakancave në sistemin gjyqësor, por pa cenuar aksesin e qytetarëve te shërbimet gjyqësore. Qëllimi im është të ofrojmë shërbime gjyqësore atje ku kemi gjykatat. Pra, thelbi i hartës që jemi duke diskutuar edhe me KLGJ është përqendrimi i trupës gjyqësore”, tha ai.










































