Google search engine
Home Ekonomi Parashikohet situatë e rëndë energjetike, arrihet rekordi historik i blerjes së energjisë...

Parashikohet situatë e rëndë energjetike, arrihet rekordi historik i blerjes së energjisë jashtë, shkon në 239 euro//MWh

0
232

Sistemi energjetik në vend rrezikon të futet në kolaps. Rritja e çmimit të energjisë së importuar ka futur në krizë OSHEE, pasi nuk përballon dot diferencën mes shitjes dhe blerjes. Gazeta e trajtoi dje këtë çështje, ndërsa sinjalet janë se situata mund të përkeqësohet akoma dhe më shumë. Furnizuesi i Tregut të Lirë, kompani nën Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) mbylli dje ankandin e fundit për blerjen e energjisë për muajin tetor dhe bëhet fjalë për furnizimin gjatë periudhës 4-10 tetor. Çmimi mesatar i një megavati të blerë rezulton 239 euro, çmimi më i lartë me të cilin vendi ynë ka siguruar ndonjëherë energji nga tregu i lirë teksa një vit më parë e njëjta sasi energjie u sigurua për afërsisht 50 euro. Në total sasia e siguruar e energjisë është 58 mijë MWh duke akumuluar një fond prej 13 milionë eurosh për një javë furnizim me energji të vendit. Situata energjetike ka hyrë në një cikël të rrezikshëm pasi çmimet e blerjes po rriten nga java në javë ndërkohë që alarmi në treg lidhet me faktin që tashmë nuk bëhet më fjalë për çmim të lartë energjie, por për sasi të disponueshme për blerje. Sipas “Monitor”, blerjet kanë marrë plotësisht edhe fondet e parashikuara për investime nga ana e kompanisë së shpërndarjes duke pezulluar këto të fundit dhe duke i dhënë prioritet furnizimit me energji. Financat e OSHEE prej dy vitesh po vuajnë tashmë efektin e viteve jo të mira hidrike ku importet kanë rezultuar në nivele të larta shpenzimesh ndërkohë që mbetet e paqartë cila do të jetë situata që do të pasojë në vijim.

Parashikohet situatë e rëndë

Por pse po shtrenjtohet kaq shumë energjia në vendet e BE? “The Economist”, ka bërë një shkrim mbi këtë situatë që po shqetëson gjithë BE. Sipas saj, në Europë, kostoja e energjisë elektrike është në rritje. Që nga fillimi i shtatorit, çmimet e energjisë në Gjermani dhe Francë, janë rritur përkatësisht me 36% dhe 48%. Tani kanë arritur në rreth 160€ (189 dollarë) për megavat në orë, një nivel rekord. Në Britani, çmimet kanë arritur në 385£ (532 dollarë), nga 147£ disa javë më parë. Por si shpjegohet kjo rritje? Një problem është furnizimi me gaz natyror, i përdorur për të prodhuar rreth një të pestën e energjisë elektrike në Europë. Mungesat kanë rritur çmimin e gazit – dhe si pasojë, çmimin e energjisë elektrike. Rreth një e treta e furnizimit në Europë vjen nga Rusia; një e pesta vjen nga Norvegjia. Të dyja vendet kanë pasur pengesa në shpërndarje, siç ishte një zjarr në një fabrikë përpunimi në Siberi, duke shkaktuar furnizim më të ulët. Kompanitë kombëtare të gazit, kanë kërkuar të kompensojnë mungesën nga tregu i gazit të lëngshëm natyror (GLN). Por atyre iu është dashur të konkurrojnë me blerësit në Kinë dhe Japoni, ku kërkesa për GLN po rritet. Midis janarit dhe korrikut, importet e GLN në Europë, ishin 15% nën vëllimin e vitit të kaluar. Zakonisht, ndërmarrjet europiane u përgjigjen çmimeve të larta të gazit duke përdorur më shumë qymyr. Por çmimi i qymyrit është gjithashtu në nivele të larta rekord. Kostoja e lejeve europiane të karbonit është gjithashtu në nivele rekord. Për shkak se djegia e qymyrit lëshon më shumë mbetje ndotëse se djegia e gazit natyror, lejet e shtrenjta të karbonit i rrisin edhe më shumë çmimet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here