Studiuesi dhe muzikanti Qamil Gjyrezi promovoi në Art studio të piktorit Ahmet Malevija në qytetin e Shkodrës, albumin “My Way” për instrumentin trombës dhe referoi temën: “Psikologjia e pikturës e piktorit Ahmet Malevija, ndërmjet realizmit dhe ekspresionizmit abstrakt”. Albumi për trombë “May way” është konceptuar me këngë të njohura të artistëve botërorë si, Frank Sinatra, Luis Armstrong dhe Andrea Bocelli. Në materialin rreth albumit thuhet se këngët në të vërtetë janë krijuar nga kompozitorë të njohur botërorë, por këngëtarët e mëdhenj që i kanë kënduar dhe interpretuar e kanë marrë “autorësinë” e këngëve. “Këngët janë luajtur dhe kënduar në Shqipëri edhe para viteve 90-të dhe në versione të reja mbas viteve 90-të. Këngët e punuara për trombë janë: “What a Wonderful World” kompozuar nga Bob Thiele dhe George David Weiss, kënduar dhe luajtur nga Luis Armstrong. “My Way” është kompozuar nga Paul Albert Anka, kënduar nga Frank Sinatra.”Bésame Mucho” është kompozuar nga Consuelo Velazquez, kënduar nga Andrea Bocelli dhe të tjerë. “La Paloma” është kompozuar nga Sebastian Iradier dhe “Tequila” nga Chuck Rio (Danny Flores)”, thuhet në material. Sa i takon temës “Psikologjia e pikturës e piktorit Ahmet Malevija, ndërmjet realizmit dhe ekspresionizmit abstrakt”, psikologu i artit Qamil Gjyrezi thotë se psikologjia e artit studion natyrën psikike, shpirtërore dhe mendore të artistit, pavetëdijen dhe aftësitë e tija artistike. “Psikologjia e punëve të piktorit Malevija shquhet për një perceptim të realitetit, ndërmjet reales dhe abstraktes lirike, ekspresionizmit abastrakt. Malevija me artin e tij realist dhe së fundi abstraksionist ka lënë gjurmë artistike në artet pamore jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë dhe Ulqin”, shprehet Qamili. Ai tregon se piktori ka çelur 10 ekspozita. Ahmet Malevija pikturon kompozimet e tij, duke dëgjuar tingujt e muzikës në mënyrë të veçantë instrumentin e trombës.









































