Google search engine
Home Politike Komisioni Europian rrëzon zërat për rikthimin e vizave: Shqipëria vijon të përmbushë...

Komisioni Europian rrëzon zërat për rikthimin e vizave: Shqipëria vijon të përmbushë kërkesat e Brukselit

0
189

Komisioni Europian ka shuar zërat për mundësinë e rikthimit të vizave. Zyra për shtyp e Komisionit Europian, është shprehur se nuk mund të ketë rikthim vizash për Shqipërinë. Po ashtu, Komisioni Europian, bën me dije se Shqipëria po ashtu edhe vendet e tjera vijojnë që të përmbushin kërkesat e Bashkimit Europian. “Pozicioni i Komisionit Europian është shprehur shumë qartë në raportin që botuam, më 4 gusht. Raporti përfundon se të gjitha vendet vazhdojnë të përmbushin kërkesat për liberalizimin e vizave dhe kanë bërë përparim në adresimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, raporti nxjerr në pah fushat ku nevojiten përpjekje të mëtejshme nga secili vend”, thuhet në reagimin e Komisionit Europian. Megjithatë, Komisioni Europian, në reagim njofton se Shqipëria, si dhe vendet e tjera që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave do të mbahen në monitorim. “Komisioni do të vazhdojë të monitorojë përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave. Përtej kësaj, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë për ndonjë dokument (të supozuar) të rrjedhur ose për pozicionet e shteteve anëtare gjatë diskutimeve të nivelit teknik në Këshill”, thuhet në reagimin e Komisionit Europian.

Kërkesa e vendeve anëtare

Ndërkohë, diskutimet mbi mundësinë e rikthimit të vizave erdhën pas publikimit të një raporti të Këshillit të Bashkimit Evropian, publikuar pak ditë më parë, ku flitej mbi një shqetësim në rritje të abuzimeve me lëvizjen e lirë afatshkurtër në zonën Shengen nga shtetet e Partneritetit të Lindjes dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor. Qeveritë e Gjermanisë, Italisë dhe Francës kërkuan nga BE të rishikojë lëvizjen pa viza të disa shteteve, përfshi Shqipërinë, për shkak të abuzimeve nga shtetasit e këtyre vendeve. Një dokument i hartuar nga institucionet e Unionit, tregon shqetësimet në rritje në lidhje me qëndrimet e paligjshme dhe kërkesat e pabaza për azil nga qytetarët e këtyre vendeve. Sipas dokumentit, Gjermania e sheh Shqipërinë si një nga vendet më problematike lidhur me abuzimin e marrëveshjes për heqjen e regjimit të vizave. Franca po ashtu, shprehet e shqetësuar nga shqiptarët që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme pasi hyjnë në vend pa viza dhe më pas kërkojnë azil të paarsyetuar. Italia dhe Belgjika janë në mesin e vendeve që kërkojnë rishikim të regjimit të vizave. Por, përveç Shqipërisë, vende të tjera të cilësuara problematike janë Serbia, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina.

Ja çfarë përcakton rregullorja

Sipas rregullores mbi regjimin e vizave, kriter penalizues është kur numri i azilkërkuesve është i madh dhe kur në të njëjtën kohë shteti prej nga vijnë këto kërkesa nuk bashkëpunon për riatdhesimet e azilkërkuesve, gjë që në fakt nuk ka ndodhur me Shqipërinë, ku në mënyrë të vazhdueshme riatdhesohen persona që kërkojnë azil pa plotësuar kriteret. Edhe në rastet kur shteti nuk bashkëpunon, atij i lihet një afat 6 mujor për të reflektuar, dhe vetëm në rastet kur sërish bashkëpunimi për riatdhesime mungon, atëherë mund të ketë penalizime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here