Deputetja demokrate, Flutura Açka dje në një dalje televizive komentoi vendimin për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ajo tha se ndihej e zhgënjyer nga Berisha dhe figura e tij teksa deklaroi se PD mori një vendim të tillë për të treguar se nuk ishte një armike e Departamentit Amerikan të Shtetit. “Kur kam vendosur të futem në PD, gjithmonë kam pasur parasysh edhe zotin Berisha. Unë jam njeriu i parë i zhgënjyer. Cilit Berishë t’i besoj, atij që pranova të futem në zgjedhje dhe tani më del që zoti Berisha më jep një profil tjetër nga ai që njihja unë, s’di çfarë të besoj. Berisha është pezulluar në mënyrë të përkohshme nga grupi parlamentar. Është deputet, është në Parlament ka fjalën për të thënë fjalën e tij si opozitar. Berisha ka qenë një opozitar dhe ka bërë opozitë edhe për çështjet që kanë të bëjnë me sjellje ndaj Amerikës. Kjo sjellje deri tani i është shitur PD. PD duhet të mbajë një qëndrim të caktuar. PD i është dashur të bëjë këtë operacion, për t’i treguar SHBA që nuk është armike e DASH”, u shpreh deputetja. Açka tha se Berisha e ka futur partinë në një situatë që ajo nuk e meritonte. Deputetja u shpreh se beteja e tij ndaj Amerikës është personale dhe e tillë duhet të vijonte. Sipas saj, Berisha nuk mund ta kthejë dot PD në një skalion kundër Amerikës. “Do të thoja që zoti Berisha është në një moment që e ka futur PD në një situatë që s’e meritonte. Ne duhet të luftonim në këtë moment ndaj kundërshtarit tonë politik. Beteja nisi si një beteje personale në momentin që u shpall “non grata”, e si e tillë ashtu duhet të vijonte. Në këtë lëvizje përfshihen dhe në mënyrë spontane edhe njerëz që kanë probleme personale me zotin Basha. Mund të jenë personazhe që kanë detyrime ndaj zotit Berishës. Ne e dimë shumë mirë që zoti Berisha ka qenë figurë autoritare. Berisha nuk mund të kundërshtojë një vendim të marrë dhe nuk mund ta kthejë Partinë Demokratike në një skalion që është një bandë që është kundër Amerikës. PD është parti e hapur”, tha ajo.







































