Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për grupin kriminal që dyshohet se trafikuan drejt Italisë rreth 6 ton drogë. Gjithashtu, SPAK njofton se janë sekuestruar me qëllim konfiskimin e tyre, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, subjekte tregtare, ambiente biznesi, në një vlerë rreth 5 (pesë) milion Euro. “Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për gjykimin e çështjes penale të ndarë, nr.36/1, të vitit 2019, në ngarkim të të pandehurve I. D., A.K., K.(P.)B., O.D., J.B., R.M., R.M (tjetër shtetas ky), A.K., M.D, akuzuar se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”; “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë; “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet, 284/1, 28/4, 283/a/1 e 22, 28/4, 283/a/1, 28/4, 287/1 gërma “d”, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, njofton SPAK. Sipas saj, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, gjatë hetimit janë dokumentuar disa episode trafikimi të lëndës narkotike të sekuestruar në Shqipëri dhe Itali, në një sasi prej 6 ton lëndë narkotike e llojit cannabis sativa, marijuanë, kokainë, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion Euro, për një sasi totale prej rreth 14 milion dozash nga shpërndarja me pakicë. “Në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar me qëllim konfiskimin e tyre, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, subjekte tregtare, ambiente biznesi, në një vlerë rreth 5 (pesë) milion Euro. Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë për 28 persona të tjerë të arrestuar, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, njofton prokuroria. Masat parandaluese të pasurive dhe konkretisht sekuestro preventive që i përkasin sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si apartamente, troje, restorante, njësi tregtare, (12 pasuri te paluajtshme), 4 shoqëri tregtare bashke me asetet e tyre dhe disa automjete, te cilat arrijnë ne vlerën e 5 milionë euro.
Operacioni “Shpirti”
Grupi në fjalë u arrestua në kuadër të operacionit “Shpirti”. Rrëfimi i 4 të penduarve të drejtësisë çoi në arrestimin e 38 personave, prokurorë, zyrtarë policie, mes të cilëve edhe dy shoqëruesit e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Nga hetimet e SPAK, në bashkëpunim me autoritetet e antimafias italiane, rezulton se grupet kriminale kanë trafikuar të paktën 6 tonë drogë përgjatë viteve 2014-2017 nga Shqipëria drejt Italisë. Hekuran Marku dhe Agustin Deda, ish truporoja të Tahirit sipas prokurorisë speciale kanë patur rol aktiv në trafikun e drogës. Pjesë e këtij rrjeti, është edhe ish zëvendës drejtori i policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, aktualisht në policinë e shtetit, si dhe Festim Lelaj, i dënuar me herët për trafik droge, si dhe Artur Krasniqi, në policinë e Durrësit. Dosja për 9 personat është ndarë nga grupi tjetër.









































