Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ditën e djeshme ka vijuar turin e saj të vizitave në Ballkanin Perëndimor, me vizitën në Kosovë. Ajo zhvilloi takime me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Në një konferencë të përbashkët pas takimit me zonjën von der Leyen, kryeministri Kurti bëri me dije se tema qendrore e takimit ka qenë ekonomia, por është biseduar edhe në lidhje me integrimin evropian të vendit. Në fjalën e tij, zoti Kurti foli edhe mbi situatën në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë. Ai siguroi se Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme për zgjidhje të situatës, por se nga pala serbe nuk është vërejtur e njëjta gadishmëri. “Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën kur erdhi në takim gjeneral majorin e KFOR-it, Franco Federici i cili dha një propozim racional që nënkuptonte heqjen e barrikadave për liri të lëvizjes dhe zëvendësimin e Njësive Speciale nga pjesëtarët e KFOR-it deri në një qetësim të situatës. Aty do të vazhdonin të qëndronin policia jonë kufitare e cila do të vazhdonte me zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit”, ka deklaruar Kurti. Ai ka bërë me dije se një propozim i tillë është refuzuar nga Serbia. “Në parim ne e kemi pranuar këtë, dhe sa i përket orarit të tërheqjes së Njësive Speciale kemi ngelur të bisedojmë me Policinë e Kosovës. Ne paraprakisht jemi konsultuar edhe PK-në, pasi që vendimet që ne i marrim nuk janë vetëm politike. Ne kemi qenë dakord, mirëpo Serbia e ka refuzuar këtë. Pra Serbia javën e kaluar ka refuzuar dialogun në Bruksel, këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFOR-i”, shtoi Kurti. Kryeministri i Kosovës deklaroi se Serbia ka reaguar me forcë pas masës së reciprocitetit me targa. “Në takim e njoftova zonjën Von der Leyen për gjendjen në vendkalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinë, se ne nuk kemi marrë vendim të ri, por vetëm po e zbatojmë një dakordim të mëparshëm. Fatkeqësisht, Serbia reagoi me forcë, duke përfshirë edhe trupa, tanke, automjete të blinduara e luftarake. Përveç këtyre ka angazhuar aeroplanë ushtarakë të prodhimit rus”, tha Kurti. Gjatë konferencës, Kurti akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se ishte nxitës i sulmeve në Zubin Potok dhe Jarinë. “Sulmet erdhën pas deklaratave luftënxitëse e plot urrejtje të presidentit të Serbisë e pas demostrimeve ushtarake në kufi me Kosovën”, tha ai. Kryeministri akuzoi Serbinë më tej se nga një anë merr ndihma dhe donacione nga Bashkimi Europian, dhe nga ana tjetër militarizohet nga Rusia dhe Kina. Nga ana tjetër, kryetarja e KE, Ursula von der Leyer në fjalën e saj për mediat, theksoi se është jetike që të ndodh normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi. “Është më rëndësi që të ecim përpara në rrugën evropiane dhe ka rëndësi jetike që të bëhet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi. Jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është me rëndësi që të shtensinohet situata dhe të kthehemi në tryezën e negociatave për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, dhe e vetmja mënyrë për këtë është përmes dialogut të lehtësuar nga BE, që është platforma e vetme për zgjidhjen e krizës aktuale”, tha ajo.
Osmani- Von der Leyen
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Vend të veçantë në takim ka pasur situata aktuale politike në vend, me theks të veçantë në veriun e vendit. Osmani ka theksuar se Kosova vetëm po e përmbush një aspekt ligjor dhe se nuk ka asnjë tendencë nga pala kosovare për ta tensionuar situatën e sigurisë. Ajo madje ka bërë me dije se një tendencë e tillë, po shpërfaqet hapur nga pala serbe, e cila e ndikuar edhe nga qarqet ruse po përpiqet të shkaktojë destabilizim në gjithë rajonin e Ballkanit. Presidentja ka përfituar nga rasti për të kërkuar nga faktori ndërkombëtar të dënojë tendencat e Serbisë për destabilizim. Në raport me procesin e integrimit, presidentja Osmani ka theksuar se BE-ja duhet ta ketë një strategji të qartë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova. Vonesat në këtë proces, sipas Osmanit e zbehin kredibilitetin e BE-së. Osmani ka ritheksuar se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i mbajë premtimet ndaj Kosovës dhe që shtetet anëtare të BE-së ta respektojnë rekomandimin e Komisionit Evropian.











































