Google search engine
Home Sport Mesi zgjodhi Sitin për të nisur spektaklin e tij me Paris San...

Mesi zgjodhi Sitin për të nisur spektaklin e tij me Paris San Zhermen

0
208

Lionel Mesi nuk kishte shënuar asnjë gol me PSG-në, por ai zgjodhi momentin për ta dëshmuar veten kur shpërtheu në ndeshjen kundër Mançester Sitit në Champions League. Ishte një gol që dyfishoi epërsinë e PSG-së (2:0) kundër skuadrës së Pep Guardiolës në minutën e 74-t, duke siguruar një fitore që dërgon një mesazh për pjesën tjetër të Evropës. Fituesi i gjashtëfishtë i “Topit të Artë” po kalonte një mbrëmje të qetë derisa mori posedimin e topit brenda gjysmës së fushës të Sitit para se të nisej drejt portës. Ai përballoi Ajmerik Laporten dhe bashkëveproi me Kilian Mbapenë para se të dërgonte topin në pjesën e epërme të portës me një gjuajtje nga jashtë zonës. Guardiola, i cili e njeh shumë mirë Mesin pasi ka punuar me të te Barcelona, e quajti “të pandalshëm” ish-nxënësin e tij. “Unë zakonisht nuk i festoj golat, por në atë festova”, tha trajneri i PSG-së, Mauricio Poketino, i cili ishte përballur me Mesin në Spanjë kur ishte në krye të Espanjolit. “E kam parë atë të shënojë shumë herë më parë kur isha në stolin e ekipit kundërshtar, kështu që një herë isha në stolin e duhur dhe mund të festoja”, tha ai. Mesi u largua nga Barcelona si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 672 gola në 778 paraqitje, një rekord për një klub. Tani ai është duke funksionuar në Paris dhe turma që ishte e pranishme në stadiumin “Parc des Princes”, që nuk do ta harrojë mbrëmjen e së martës, do të shpresojë se ky ishte vetëm goli i parë i Mesit me fanellën e PSG-së. “Është e vërtetë që fort doja të shënoja golin tim të parë”, pranoi Mesi, i cili ndaj Sitit bëri vetëm paraqitjen e katërt për ekipin e Poketinos. 34-vjeçari erdhi në Paris me synimet e tij të forta për të fituar Ligën e Kampionëve, një trofe që ai e fitoi për herë të fundit me Barcelonën në vitin 2015. Një ekip që ka në radhët e veta lojtarët si Mesi, Mbape dhe Nejmar – për të mos përmendur Angel Di Marian, i cili ishte i pezulluar ndaj Sitit – nuk mund të synojë asgjë më pak se triumfin në një garë që PSG-ja nuk e ka fituar kurrë. Shenjat e para këtë sezon nuk kanë qenë gjithmonë premtuese, me PSG-në që barazoi 1:1 në udhëtim te Klub Bruzh në ndeshjen e parë evropiane dhe u përball me kundërshtarë të kufizuar gjatë rrugës për tetë fitore nga tetë ndeshje në Ligue 1. Mirëpo, Mesi beson se marrëdhënia e tij me Mbapen dhe Nejmarin, e ashtuquajtura “MNM”, po zhvillohet dhe po forcohet gjithnjë e më shumë. “Ndërsa ecim përpara ne do të njihemi më mirë me njëri-tjetrin”, shtoi Mesi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here