Google search engine
Home Sport Impiantet në rikonstruksion, klubet e Superiores me çanta në krahë dhe ndeshje...

Impiantet në rikonstruksion, klubet e Superiores me çanta në krahë dhe ndeshje larg shtëpisë

0
198

Një nga problemet e mëdha të futbollit tonë në dy-tri dekadat e fundit lidhet me infrastrukturën e munguar dhe njëherësh të vjetruar, e cila nuk i plotëson më kërkesat e reja për sport cilësor e bashkëkohor. Duhet thënë se investime nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama janë bërë goxha, si në Shkodër, Elbasan e në Tiranë, ku në kryeqytet jo vetëm u ndërtua stadiumi i ri Kombëtar, por edhe “Parku Olimpik”, për disa sporte të tjera. Pra përmirësim të gjendjes ka, por sporti shqiptar ka nevojë për shumë më tepër dhe në të gjitha qytetet e vendit. së fundmi po haset problemi me mungesën e stadiumeve, sepse një pjesë e madhe e tyre janë në rikonstruksion, ose janë vjetruar në atë lloj feje që nuk plotësojnë kriteret e sigurisë dhe të cilësisë sportive për të qenë gati të presin ndeshje futbolli. Shumica e skuadrave të Kategorisë Superiore luajnë në impiante të qyteteve të tjera, pasi nuk kanë impiant të tyre. Ky kaos nuk provokohet vetëm nga Superiorja, pasi, duke dashur që të luhen normalisht ndeshjet e ligës kryesore, pa dashje krijohet tension e kaos edhe në kategoritë e tjera, sepse skuadrat e qyteteve që kanë impiantet e tyre janë të detyruar t’i lëshojnë për ndeshjet e Superligës. Në këto kushte, disa impiante, për shkak të ngarkesës, po dëmtojnë tapetin dhe kjo shton dozën e rrezikut të dëmtimit të mëtejshëm të impianteve dhe për pasojë zhvillimin e ndeshjeve në qytete dytësore, duke munguar kështu tifozeria. Situata pranohet gjerësisht se është e rëndë dhe me pak mundësi zgjidhjeje.

Klubet e mëdha e pretendente pa fushë të tyre

Kukësi, Teuta e madje dhe Laçi nuk kanë aktualisht në dispozicion fushën e tyre dhe i luajnë takimet në fushat e qyteteve të tjera. Teuta ka zgjedhur Elbasanin, Laçi Kamzën e Kukësi ku të ketë mundësi, por më së shumti në këto ndeshjet e fundit ka luajtur në Elbasan. Të gjitha këto lëvizje bëjnë që stadiumet pritëse të mos përdoren nga skuadrat e tyre që luajnë në ligat inferiore, për shkak të ruajtjes së tapetit. Në këto rrethana ka pakënaqësi tek elbasanasit, që stadiumi i tyre përdoret nga të gjithë por vetë ata nuk kanë një skuadër që mund të krenohen në këtë moment. Gjithsesi, duhet thënë se stadiumet e skuadrave të lartpërmendura janë në rikonstruksion, përfshi atë të Durrësit dhe Kukësit. Madje stadiumi i Kukësit do të jetë krejt i ri dhe kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar që në fund të tetorit ai do të jetë gati për të pritur ndeshjet. Por sado shpejt që të rikonstruktohen impiantet, ata nuk do të mund ta zgjidhin krejt problemin dhe pjesa e parë e sezonit do t’u shkojë klubeve me çanta në krahë. Shqetësimi është pranuar edhe nga FSHF në mënyrë të përsëritur.

Dinamo e Partizani shtegtojnë në Elbasan

Tirana është e vetmja skuadër në kryeqytet që ka aktualisht stadiumin e saj “Selman Stërmasi”, por edhe “Skënder Halilin” që e përdor zakonisht për stërvitje. Por dy rivalët e saj kryeqytetas, Partizani e Dinamo, nuk kanë impiantin e tyre. Të kuqtë ende nuk e kanë mbyllur kompleksin në Tufinë, ndërkohë që Dinamo, e rikthyer në elitë pas afro një dekade, po shtegton në Elbasan për të pritur ndeshjet e saj. Duhet thënë se Dinamo e kërkoi “Air Albania”, por FSHF refuzoi prerë, duke ia lënë Kombëtares ta inaugurojë tapetin e ri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here