Baza demokrate ka nisur diskutimet sa i takon përjashtimit të ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Pak ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha iu kërkoi deputetëve, drejtuesve politikë të 12 qarqeve dhe krerëve të degëve të PD që të sqarojnë bazën mbi vendimin e përjashtimit të ish-kryeministrit Berisha. Por gazeta ka mësuar se degët demokrate janë mobilizuar dhe kanë nisur takimet e para me anëtarësinë dhe mbështetësit e Partisë Demokratike. Sipas informacioneve, në të gjithë vendin janë zhvilluar ditët e fundit mbledhje të grupseksioneve të PD, ku në fokus të diskutimit ka qenë pikërisht mbrojta e vendimit të Bashës për të përjashtuar Berishën dhe situata brenda Partisë Demokratike. Në këtë kontekst, mësohet se baza demokrate është shprehur në takime se mbështesin vendimin e liderit demokrat për të përjashtuar nga grupi parlamentar ish-liderin historik të PD dhe se për ta raportet e partisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhen të cenohen. Po ashtu, mësohet se në këto takime baza demokrate e ka cilësuar përjashtimin e Berishës si çështje e mbyllur. Madje, sikundër theksuan të njëjtat burime në takime e zhvilluar gjatë këtyre ditëve, baza demokrate ka marrë në mbrojte shefin e selisë, teksa ua kanë bërë të qartë edhe krerëve të degëve dhe deputetëve të Partisë Demokratike se Basha mori vendimin e duhur për Berishën, pasi nëse do të vepronte ndryshe, PD-ja do të kriste raportet me SHBA-të, që janë aleati strategjik i tyre dhe Shqipërisë. Pra, referuar këtyre takimeve që kanë ndodhur, duket qartë që përjashtimi i ish-kryeministrit për bazën demokrate është çështje e mbyllur.about:blank
Demokratët presin zgjedhje të parakohshme
Por teksa përjashtimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike duket çështje e mbyllur, baza demokrate po i shfrytëzon takimet me anëtarësinë edhe për analizë dhe politikë. Gazeta ka mësuar se në kushtet kur kreu i PD, Lulzim Basha iu përgjigj pozitivisht kërkesës së amerikanëve për të përjashtuar Berishën, ata tashmë i kanë sytë nga zgjedhjet e parakohshme. Vetë demokratët edhe pse kemi vetëm pak muaj që kemi mbyllur zgjedhjet parlamentare, nuk e kanë fshehur dëshirën për zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tyre, në 25 prill ndodhi “masakër zgjedhore”. Ndërkohë që duket se kësaj kërkese ata i kanë mëshuar edhe në takimet e zhvilluara në degë të ndryshme të vendit. Sipas informacioneve, mësohet se në takimet e bazës, përveçse kërkesës së kahershme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme lokale, është kërkuar që në të njëjtën ditë, ndoshta në pranverën që vjen e që shihet si periudha më e përshtatshme, të mbahen edhe zgjedhjet të përgjithshme të parakohshme. Por që të fitohen këto, mësohet se në mbledhje është mbrojtur fakti se Partia Demokratike nuk duhet të përçahet, qoftë nga kritikë të brendshëm të Bashës, qoftë nga aksioni i Berishës, pasi sipas tyre, vetëm një lidership që ka raporte dhe mbështetjen e amerikanëve mund ta ndihmojë PD-në të vijë në pushtet. Kështu që nisur nga të gjitha këto, kryefjala e demokratëve tashmë nuk është përjashtimi i Berishës, por një parti e bashkuar dhe çuarja e vendit në zgjedhje, me qëllimin e vetëm fitoren e tyre nga Partia Demokratike.










































