Gjykata ka nxjerrë nga qelia Viktor Markun dhe Sebastian Malin, si të dyshuar se janë përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës. Ata ishin në arrest me burg, por afate e paraburgimit kanë skaduar, pasi prokuroria nuk ka dorëzuar prova shtesë kundër tyre. Për këtë arsye gjykata vendosi që të ndryshojë masën e arrestit, duke i lënë në arrest shtëpie. Pak muaj më parë u lirua nga qelia edhe Adiola Lakra, e cila dyshohet se nxori në pritë Billën në zonën e Komunës së Parisit ku 40-vjeçari ishte duke lëvizur me automjetin e tij dhe më pas është ekzekutuar me armë zjarri. Më herët e reja kishte mohuar përfshirjen në këtë atentat duke treguar se më Billën ajo kishte lidhje dhe e njihte, megjithatë provat hetimore ngritën dyshime se 26-vjeçarja është përdorur nga atentatorët si “karrem” për vrasjen e të riut. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, teksa Billa u mor i pandehur për vrasjen e P. Markut në Britaninë e Madhe në 2006. Për krimin, Billa ishte dënuar përjetë, por më pas përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, me vendim të gjyqtares Enkeleida Hoxha, e cila ndodhet pas hekurave për lirimin e të dënuarve përjetë nga qelia. Në janar të këtij viti grupet hetimore gjetën në automjetin Nissan Micra që i dyshuari Sebastian Mali, mësohet ta ketë marrë me qira, 3 fije floku nga ku janë përfituar dy kampione ADN. Pritet që, me vendim prokurorie kampionet të krahasohen me kampionet e dy të dyshuarve. E në këtë mënyrë nëse do të konstatohet përputhshmëri, atëherë rezultati do të jetë një provë vendimtare për fajësinë e të dyshuarve, dajë e nip, të cilët sipas prokurorisë organizuan dhe ekzekutuan Billën për motive hakmarrjeje.about:blank
Hetimet
Sipas dosjes hetimore lidhur me këtë ngjarje, më 19 janar rezulton se i dyshuari Viktor Marku ka kaluar drejt Malit të Zi nëpërmjet pikës kufitare të Muriqanit, teksa dyshimet e prokurorisë janë përqendruar se ai ka hyrë në tokën shqiptare, nëpërmjet kufirit të gjelbër. Sakaq nga kamerat e sigurisë të bizneseve pranë vendit ku ndodhi vrasja, Marku është parë të zbresë nga një makinë tip “Smart”, të cilën e kishte marrë me qira, për të hipur në një tjetër tip “Benz”, e njëjta e cila u përdor nga autorët e atentatit dhe që rezulton e vjedhur. Hetimet kanë zbuluar se makina tip “Benz” ka ndjekur viktimën që nga zona e Kombinatit, për ta ekzekutuar më tej në zonën e “Komunës së Parisit”. Marku qëndronte në mënyrë të parregullt në Malin e Zi dhe falë shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe policisë malazeze, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e tij në shtetin fqinj, për t’iu dorëzuar autoriteteve shqiptare në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit. Krahas Markut, policia arrestoi si bashkëpunëtor në krim, 22-vjeçarin Mali. Ndalimi i Malit sipas policisë u bë pasi, në datën 11 qershor, rreth orës 21:50, në rrugën “Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit Hekuran Billa. Mali është nipi i Marku, i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga viktima Hekuran Billa, për të cilën ai ishte dënuar dhe kishte arritur që të lirohej.









































