Pas fotos në krah të Gorge Soros, kryeministri Edi Rama i ka dalë në krah filantropit lidhur me debatin mbi shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Berisha. Dje Rama ishte në emisionin “Open” në “Top Channel”, ku foli mbi vendimin e DASH. Ai refuzoi të tregojë se ku e dinte që dy vite më parë se Berisha do shpallej “non grata”. Por ai foli mbi akuzat se ka lobuar bashkë me Soros në SHBA. “Për shkak të detyrës di shumë gjëra, por s’mund të flas. S’kam asnjë koment për shpalljen e tij non-grata, se ajo është e qartë, se çdo koment e politizon dhe kjo nuk është politikë e brendshme. Sikur SHBA, DASH të funksiononin me lobime, imagjinoni sa diktatorë do kishin blerë Amerikën me diamante e me flori. S’ka kush fuqi në këtë Tokë që t’i blejë.a
Lobimi atje, se unë e kam parë ça është, është ca fotografi me kongresmenë e senatorë, që ca prej tyre nuk e dinë fare kush është Shqipëria. Ndonjë artikull aty këtu, nga ato që paguhen, por lobim nuk bëhet dot. Po funksionon SHBA-ja kështu do ishte si ne, asnjë koalicion amerikanësh e pasanikësh ku do që të jenë nuk bëhet”, tha Rama. Kryeministri kishte shkuar me dokumente me vete në emision, ku tregoi të gjitha investimet e Soros në vendin tonë. Ai e mohoi përfshirjen e tij në shpalljen “non grata” të Berishës. “Miliarderi Soros e njeh Berishën si emër dhe nuk e ka fare në radarët e shqetësimeve të tij. Xhorxh Soros është një nga njerëzit që shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës. Sorosi ka investuara tek Fondacioni Shoqëria e Hapur dhe ka investuara për hapjen e shoqërive të mbyllura. Këtu në Shqipëri po ju sjell një fakt që me paratë e Soros janë ndërtuara dhe rindërtuar 275 shkolla, 100 milionë dollarë nga vitet ’90. Falë Fondacionit Soros në vitet ’95 janë diplomuar rreth 700 studentë. Fondacioni Soros ka mbështetur reformën në drejtësi. Soros ka pasur takim me mua dhe me opozitën për reformën në drejtësi asokohe. Jam krenar që jam mik i Xhorxh Soros edhe kur presidenti Trump e sulmonte. Unë e kam mik Sorosin dhe këtë e dinë edhe miqtë e mi Erdogan dhe Viktor Orban. Unë i jam mirënjohës Sorosit. Saliu hedh akuza të rreme për Sorosin sa i takon ndikimit të tij në ndarjen e Kosovës.
Vizita në Kosovë
Kryeministri Edi Rama nënkuptoi në emisionin Open në Top Channel se i ka kërkuar Albin Kurtit që të tërheqë forcat speciale nga veriu i Kosovës, duke arsyetuar se qëllimi i tyre u arrit.
“Forcat speciale e kanë kryer misionin e tyre. Siguria atje u garantua dhe u shmangën kush e di ça ngjarjesh. Problemi u ngrit ndërkombëtarisht dhe tani duhet të tërhiqen”, tha Rama. Kryeministri u shpreh se edhe Serbia duhet të tërhiqet nga manovrat e tregimit të forcës.
“Ata helikopterë duhet të largohen dhe duhet të nisë dialogu. Kjo është përpjekja. që të ulesh në tavolinë dhe sheh çfarë mund të marrësh sot. Krijimi i një atmosferë pozitive e ndihmon dialogun dhe çlirimin e Serbisë nga makthet dhe e çon edhe Serbinë drejt zgjidhjes, kurse barrikadimi stimulon pjesën më problematike të koshiencës së serbëve”, tha ai. Rama tha se Kosova duhet ta shohë dialogun me Serbinë si një lojë shahu dhe jo si një ndeshje boksi. Kryeministri Edi Rama tha se Serbia do t’i kërkojë falje Kosovës se “nuk ka ku shkon”, por tha se Kosova duhet të ulet në tryezën e Ballkanit të Hapur për t’iu bashkuar kësaj nisme. “Serbia do të kërkojë falje se nuk ka ku shkon, por nuk kemi pse të presim kur do të kërkojë falje, sepse ka shumë aktivitete të tjera kulturore, ekonomike e të tjera për t’u zhbllokuar”, tha Rama.










































