Shtohen sinjalet se në prapaskenë është arritur një pazar për të bllokuar ose vonuar shkarkimin e presidentit në Gjykatën Kushtetuese. Në qershor të këtij viti, Kuvendi vendosi të shkarkojë Ilir Metën nga detyra dhe dosja shkoi në gjykatë. Deri më tani Kushtetuesja nuk ka dhënë asnjë sinjal se kur do nisë procesi, por duke qenë se kemi 7 anëtarë, gjasat që të kemi një vendim nul janë të shumta. Që të vendoset pro shkarkimit duhen minimalisht 5 vota dhe nëse nuk arrihet kjo, vendimi del nul duke bërë që Kushtetuesja të mos marrë dot vendim dhe Meta të mbetet në detyrë. Në korrik u dhanë sinjale se në shtator kjo gjykatë do të ishte me 9 anëtarë, por nuk po ndodh aspak kështu. Gjykata e Lartë në korrik mbylli garën për 3 vakancat e fundit të Kushtetueses dhe ja dërgoi për verifikim Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Gazeta ka mësuar se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk po shqyrton dot dosjet e kandidatëve, pasi një pjesë e madhe e anëtarëve nuk janë të pajisur me certifikata sigurie nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Disa e kanë pasur certifikatën, por iu ka skaduar dhe disa të tjerë nuk e kanë pasur. Mësohet se të gjithë kanë aplikuar pranë DSIK dhe kjo e fundit nuk i ka pajisur duke sjellë vonesa. Duke qenë se në dosjet për kandidatët ka të dhëna nga vetë DSIK, SHISH dhe institucione të tjera, duhet që anëtarët të jenë me certifikatë sigurie. DSIK varet nga kryeministri dhe fakti që po vijnë prej saj pengesat shton dyshimet se kemi një pazar mes presidentit dhe mazhorancës për të shtyrë sa më shumë vendimmarrjen e Kushtetueses. Meta nuk krijoi asnjë pengesë me dekretimin e qeverisë së re dhe sinjalet janë se në këmbim do të marrë bllokimin e shkarkimit në Kushtetuese.
Kushtetuesja nuk plotësohet dot me 9 anëtarë
Përveç vonesave që po krijohen për shkak të certifikatave të sigurisë, janë dhe dy elementë të tjerë që rrezikojnë të mbajnë peng Kushtetuesen. KED do të mblidhet në datën 30 shtator dhe sipas informacioneve, pritet të pezullohet procesi për vakancën e Gani Dizdarit, pasi pas 5 muajsh duhet të rihapet sërish gara, duke qenë se mbaron afati 9-vjeçar i kësaj vakance. “Bazuar në Ligjin Nr. 115/2016 “Për organet e Qeverisjes së sistemit të Drejtësisë” dhe “Rregullores së Brendshme për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” (e përditësuar), K.E.D. njofton thirrjen e mbledhjes së radhës: “Ditën e enjte, më datë 30 Shtator 2021, ora 15 00 pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, me këtë rend dite: Informim i KED në lidhje me ecurinë e procesit të kandidimeve deri më tani, në lidhje me situatën e krijuar pas shpalljes së vendit vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të largimit z. Gani Dizdari”, shprehet KED. Kjo do të thotë se deri në qershor të vitit që vjen Kushtetuesja nuk plotësohet dot me 9 anëtarë. Nëse ecet shpejt me dy vakancat e tjera, ajo do të ketë 8 anëtarë. Ndërkohë një problem tjetër është se Gjykata e Lartë nëse nuk ka 10 anëtarë nuk merr dot vendim për emrat që duhet të emërojë në Kushtetuese. Nëse nuk emërohet anëtari i 10-të nga KLGJ, mund të futet në kolaps i gjithë procesi.










































