Komisioneri Publik i ka kërkuar ditën e djeshme Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Vlorës, Atalanta Zeqiraj. Pak ditë më parë ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i cili u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në KPA për subjektin e rivlerësimit Atalanta Zeqiraj, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ndërkohë që dje kjo kërkesë është marrë parasysh nga Komisioneri Publik, i cili ka kërkuar nga Kolegji i Posaçëm e Apelimit që të zhbëjë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Kujtomë që në 30 qershor gjyqtarja Zeqiraj u konfirmua në detyrë. Procesi i vetingut për gjyqtaren Zeqiraj u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan, ndërsa magjistratia u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Ndërkohë disa muaj më pas, pra në 17 shtator Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u kërkoi Komisionerëve Publikë ankimin e vendimit të KPK për gjyqtaren Zeqiraj. “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i ka paraqitur sot Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për subjektin e rivlerësimit Atalanta Zeqiraj, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë”, thuhet në njoftim. Por nga ana tjetër, avokatët dhe juristët e Rrethit Gjyqësor Vlorë i kanë drejtuar një peticion Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Komisionerit Publik, për rishikimin e vendimit të marrë nga KPA për gjyqtaren e Gjykatës së Vlorës, Atalanta Zeqiraj. Sipas tyre, rekomandimi i ONM në Komisionerin Publik për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares nuk është i drejtë, pasi ajo përfaqëson figurën e magjistratit që synon të përvijojë procesi i vlerësimit.










































