Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1.6 vite burg ish-drejtorin e Kadastrës në Berat, Ervin Nelaj, pasi akuzohet se në këmbim të parave kryente legalizim të banesave. Arrestimi i tij u bë në janar të këtij viti dhe u ngritën dy akuza: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244, 259 e 25 të Kodit Penal. Dje u mbajt seanca përfundimtare, ku Prokuroria e Posaçme kërkoi 3 vite burgim për të, por gjykata vendosi që dënimi të jetë 1.6 muaj burg. Ndërkohë që për 5 vite nuk ka të drejtë të mbajë funksione publike. Sipas SPAK nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Ervin Nelaj, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Berat, në bashkëpunim me punonjës të tjerë në këtë institucion, kanë marrë në disa raste përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të kryer veprime që lidhen me detyrën e tyre, për legalizimin e objekteve informale dhe regjistrimin e titujve të pronësisë. “Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.10, datë 26.01.2021 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur: Caktimin ndaj shtetasit Ervin Nelaj të masës së sigurimit personale “arrest ne burg” e parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 259 e 25 i Kodit Penal. Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat kanë ekzekutuar në datën 26.01.2021 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj personit nën hetim të mësipërm”, njoftoi SPAK në janar të këtij viti.
Përgjimet
Nga një përgjim i zbardhur, rezulton një bisedë që tregon se si Ervin Nelaj së bashku me një punonjëse merrte dosjet përkatëse dhe në këmbim të parave jepte lejet për personat që i jepnin këto para. Ai i kërkon disa dosje punonjëses, ndërkohë ajo i thotë se nuk mundet më të vijojë.
Duket se në listë janë disa dosje, por një prej tyre që i përket një personi me emrin Ledo.
Nga ana tjetër drejtori i Kadastrës, i kërkon punonjëses që mos t’i mbajë lekët vetë sepse i prish, por t’i mbajë në sirtar.
Akuzat ndaj nëndrejtorit
Ndërkohë në rrjetë të drejtësisë ka rënë dhe nëndrejtori, i cili është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Beratit. Arrestimi i tij u bë në të njëjtin aksion, por duke qenë se nuk hyn te kompetencat e SPAK, u hetua nga Prokuroria e Beratit. Kohët e fundit janë shtuar rastet e hetimeve nga organi i akuzës në drejtoritë e Kadastrës, pasi legalizimi i banesave dhe regjistrimi i pronave duket se është kthyer në biznes për shumë drejtorë.









































