Kombëtarja do të luajë në tetor disa takime vendimtare në kuadër të Grupit I kualifikues për finalet e Botërorit të Katarit të vitit 2022, ku padyshim duelet më të rëndësishme janë ato me Hungarinë dhe Poloninë në dy muajt në vijim, dy rivalë që luftojnë për vendin e dytë. Ky pozicion në grup mundëson pjesëmarrjen në “play-off”, pozitë që është objektiv i përfaqësueses kuqezi dhe trajneri Edi Reja, edhe pse thotë vazhdimisht “ndeshja e radhës”, duket se synon pikërisht këtë, të kapë vendin e dytë duke lënë pas Poloninë dhe Hungarinë. Kur po afrojnë ndeshjet e tetorit, duket se për Rejën, krahas lajmit të keq të dëmtimit të Abrashit, ka një lajm të mirë që vjen nga mesfushori i krahut të majtë Ermir Lenjani, që ka lënë pas dëmtim, është kthyer në stërvitje e madje në ndeshjet zyrtare të skuadrës së tij Grasshoper dhe madje ka dhënë asist, duke ndihmuar ekipin në rezultat. Nga ana tjetër, Reja po shqyrton mundësinë të bëjë edhe ndryshime në skemë dhe taktikën e të luajturit në tërësi, nëse Lenjani kthehet në kapacitetin e formës së tij më të mirë. Gjërat kanë nisur të lëvizin në këtë drejtim dhe numri i madh i lojtarëve në dispozicion do të rrisë rivalitetin dhe kjo do të shpjerë në një forcë të shtuar të Kombëtares. Sa i takon mesfushorit kuqezi theksojmë se Ermir Lenjani ishte protagonist në barazimin 1:1 të Grasshoperit në udhëtim me Luganon, të enjten mbrëma në ndeshjen e xhiros së shtatë të elitës zvicerane. Reprezentuesi i Shqipërisë në minutën e 91-të asistoi për Georg Margreiter që shënoi golin e barazimit. I njëjti lojtar shënoi autogol në minutën e 50-të. Për Grashoperin ishte pika e shtatë. Renditet po ashtu në vend të shtatë. Lenjani luajti prej minutës së 69-të, ndërsa në minutën e 63-të u aktivizua Amir Abrashi. Florian Hoxha qëndroi në stol. Kreshnik Hajrizi mbuloi krahun e djathtë të mbrojtjes te Lugano dhe qëndroi në fushë deri në fund. Amir Shaipi ishte në stol te skuadra që renditet e gjashta me 8 pikë.Ad by Valueimpression
Balliu po shkëlqen në Spanjë, sinjale Rejës për ftesë në tetor
Rajo Vajekano po surprizon kampionatin spanjoll në këto 6 javët e para. Në këtë skuadër luan sulmuesi i njohur Falkao dhe mbrojtësi shqiptar Ivan Balliu. Ata renditen në vendin e 4-t dhe ndeshjen e fundit arritën një fitore të merituar në fushën e vështirë të Atl.Bilbaos. Balliu, i cili luan në krahun e djathtë të mbrojtjes, është një titullar i padiskutueshëm. Duket që mbrojtësi është përshtatur shpejt dhe po tregon që ka cilësi për të luajtur mes më të mirëve në Spanjë. KOMBËTARJA – Shohim që marrëdhëniet mes Rejës dhe Balliut nuk janë edhe aq të mira. Historia ka nisur që vitin e kaluar, kur mbrojtësi priste një ftesë nga Kombëtarja e cila nuk erdhi. Situata vazhdoi edhe në muajin shtator, kur Balliu deklaroi se kishte marrë ftesë nga FSHF-ja, por nuk mund të grumbullohej dhe të ishte i gatshëm pasi vuante nga një dëmtim. Këtu nisën edhe polemikat pasi mendohet që kjo mund të ketë qenë një qejfmbetje nga ana e Balliut. Muaji tetor po afron dhe ndeshjet e Kombëtares po ashtu. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur FSHF-ja, Reja dhe Ivan Balliu duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët.









































