Gjykata e Posaçme ka kaluar në gjykim dosjen e vrasjes së dyfishtë në vitin 2012, në Elbasan, ndërsa bashkë me të arrestuarit do të gjykohen në mungesë edhe Florenc Çapja me Jorgo Lekun. Pak ditë më parë u bë e ditur se dosja për këta të fundit ishte ndarë sepse ata janë në Dubai dhe ekstradimi ka dështuar, por dje u vendos që gjykimi të vijojë në mungesë. Bëhet fjalë për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqirit, ku si autorë prokuroria akuzon se janë: Ardian Çapja, Florenc Çapja, Klajdi Dokoli, Jorgo Leku dhe Etjen Cani. Nga dy të akuzuarit e fundit për vrasjen e dyfishtë në Elbasan, Ervis Bardhi u arrestua në Greqi dhe Florenc Çapja u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga ku ka kërkuar dhe azil. Përsa i përket të arrestuarve të tjerë, arrestimi i Ardian Çapjas u bë mëngjesin e 29 marsit të këtij viti, pasi dyshohet se ka pasur lidhje në vrasjen e dyfishtë të organizuar. Motivi mendohet të ketë qenë për arsye hakmarrje pasi Gentian Neiziri së bashku me shtetasin Armand Hasani dhe Dritan Shema vranë vëllanë e Ardian Çapjas, biznesmeni Sokol Çapja, në vitin 2005. Duke mos harruar se Ardian Çapje është një emër i njohur për Elbasanin, por edhe për drejtësinë, pasi ka qenë i shoqëruar disa herë nga autoritet, ndërsa në vitin 2017 i ka shpëtuar dy atentateve të bëra ndaj tij, një me pistoletë e një me eksploziv. Akoma nuk janë gjetur autorët e atentateve, për të cilat dyshohen se janë për konflikte brenda fisit.
Ja se si ndodhi vrasja e paramenduar
Vrasja e dyfishtë ndodhi më 25 gusht 2021. Fillimisht, Jorgo Leku në bashkëpunim me Etjen Canin u paraqitën në shtëpinë e viktimave si pjesë e shoqërisë së djalit. Gentiani, në atë kohë ishte i paralizuar dhe ndodhej në arrest shtëpie, pas një përplasje me policinë, për shkak se ishte në kërkim për një tjetër ngjarje të ndodhur në Elbasan. Shtetasi Jorgo Leku, së bashku me Etjen Canin shkuan në shtëpinë e Gentian Beqirit, të cilëve derën ua hapi babai i viktimës, Nezir Beqiri, pasi ata u prezantuan si shokët e djalit. Në atë moment, Etjen Cani qëlloi me 7 plumba të një pistolete me silenciator duke e lënë të vdekur në vend Gentian Beqirin , ndërsa babain e tij e mbytën. Gjithë ngjarja ndodhi ndërkohë që shtëpinë e viktimave po e ruanin dy efektivë policie. Më vonë, këta efektivë u akuzuan për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Në atë kohë, pista e parë e hetimeve për vrasjen e dyfishtë, ishte ajo e motiveve të dobëta pasi Etjen Cani dyshonte se Gentian Beqiri i kishte ngacmuar të dashurën. Më vonë, u dyshua motivi i hakmarrjes së vjetër me familjen Çapaj, duke qenë se Gentian Beqiri ishte një ndër tre personat që ekzekutuan biznesmenin Sokol Çapja në një lokal në dhjetor të 2005, në Elbasan. Ndërkohë, pas vrasjes së Beqirit, disa vite më vonë u krye dhe ekzekutimi i vëllait të tij, Astrit Beqiri. Trupi i tij u gjet në prillin e vitit të kaluar pranë një karburanti, në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan. Përsa i përket vrasjes së këtij të fundit, policia ende nuk ka të dyshuar për ngjarjen e ndodhur por, përsëri dyshimet e tyre të para u lidhën me motivin e gjakmarrjes së vjetër të familjes së tij me atë të familjes Çapaj.