Sulmi me armë zjarri ndaj hotelit në Pogradec, prokuroria mbyll hetimet, ja si u tentua dy herë të vritej biznesmeni

0
220

Prokuroria e Pogradecit ka mbyllur hetimet mbi sulmin me armë zjarri që ndodhi në një hotel në zonën e Tushemishtit. Në gusht të vitit që lamë pas një breshëri e madhe plumbash u lëshuan mbi hotel dhe shënjestër ishte pronari J. Muçllari. M. Berberi, dhe 3 persona të tjerë, janë marrë në pandehur për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese e rrezikshme për jetën e shumë personave mbetur në tentativë. “E. Haxhia së bashku me I. Meçollin, nën organizimin e M. Berberit, kanë tentuar të vrasin J. Muçllarin në dy episode të sulmeve me armë, me 1 dhe 8 gusht 2020. Në të dyja rastet, autorët e dyshuar kanë përdorur të njëjtat armë”, thekson prokuroria. Sipas akuzës, konflikti mes Berberit dhe të dëmtuarit Muçllari, ka lindur kur ky i fundit do të paraqitej në gjykatë me 10 shkurt të vitit të kaluar, për të dëshmuar në procesin ndaj M. Topuzit. Ai është ndaluar të japë dëshminë e nga ky moment është vënë në shënjestër, pasi sikurse thuhet në dosje, është më herët persona të armatosur e kanë kërcënuar, e në vazhdim sulmet janë intensifikuar, pasi në datën 8 gusht plot 82 plumba janë shtënë në drejtim të dhomës së hotelit ku ai flinte. Bashkë me ish-zyrtarin e Bashkisë së Pogradecit, M. Berberi do të gjykohen edhe A. Kaloshi dhe E. Kalaja, për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve në sasi të mëdha, të cilat u sekuestruan gjatë një aksioni policor në zonën e Freskut. Ndërsa, A. Xhuti dhe M. Topuzi, janë marrë të pandehur vetëm për akuzën e moskallëzimit krimit. Për afro një vit ata u hetuan për akuzën e vrasjes, por kjo akuzë u rrëzua në finale të hetimeve nga prokurori.

Arrestimi i autorëve

I pari që ra në prangat e policisë ka qenë 52-vjeçari I. Berberi, i cili është kapur teksa fshihej në një çadër që kishte ngritur enkas për t’u strehuar në pyllin e Vërdovës të Pogradecit. Gjithashtu mësohet se në çadër i janë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje. Ndër të tjera përveçse mësohet të ketë qenë organizatori i sulmit mbrëmjen e së shtunës datë 8 gusht, për drejtësinë njihet edhe si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore pasi ka qenë i dënuar për vepra të ndryshme kriminale. “I.Berberi ka qenë i dënuar për gjobvënie, vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Ndaj Berberit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”, deklaronte policia. Burime nga policia gjithashtu bëjnë me dije se më pas ka arrestuar edhe 3 bashkëpunëtorët e 57- vjeçarit, të identifikuar me emrat I. Meçolli, 29 vjeç, A. Xhuti, 29 vjeç, banues në Zvezdë, Maliq dhe E. Haxhia, 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq. Ndërkohë, pas atentatit të ndodhur në 8 gusht, policia ka arritur të zbardhë gjithë dinamikën e ngjarjes nëpërmjet pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë. Referuar pamjeve filmike mësohet se sulmi ka ndodhur për më shumë se 1 minutë, ku një nga autorët e maskuar, pasi ka qëlluar në drejtim të hotelit, me qetësi u është drejtuar makinave të parkuara duke zbrazur drejt tyre mbi 100 plumba kallashnikovi. Pas gjithë atentatit të planifikuar, autori i ngjarjes është larguar duke dalë me vrap nga hoteli në pronësi të Jetmir Muçllarit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here