Google search engine
Home Politike Pas Metës edhe LSI i del në krah Berishës dhe sulmon ambasadoren...

Pas Metës edhe LSI i del në krah Berishës dhe sulmon ambasadoren Yuri Kim: Sovraniteti sot është më i tronditur se kurrë

0
343

Pas presidentit Ilir Meta edhe Lëvizja Socialiste për Integrim është rreshtuar krah ish-kryeministrit Sali Berisha. Pjesa dërrmuese e demokratëve i kanë dalë kundër, por duket se aleanca Meta-Berisha vijon. Të premten presidenti Ilir Meta, ka marrë në mbrojtje ish-kryeministrin Sali Berisha ndërsa sulmoi ambasadoren e SHBA Yuri Kim, duke thënë se po shkel sovranitetin e vendit me kërkesën për përjashtimin e ish-kryeministrit. Dje, në të njëjtën linjë me presidentin Meta ka qenë edhe nënkryetari i LSI, deputeti Petrit Vasili. Në një intervistë televizive, teksa u pyet se si e gjykon vendimin e liderit demokrat Lulzim Basha për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, ai u shpreh se ky është një problem brenda PD. Vasili ka sulmuar edhe ambasadoren Yuri Kim. Ai u shpreh se sovraniteti sot në vend është më i tronditur se kurrë më parë duke iu referuar ambasadores. “Ky është një problem i brendshëm i PD dhe sigurisht i takon asaj ta zgjidhë. Basha përgjigjet vetë për vendimet e veta, nuk mund të jem avokat i vendimeve të tij. Ajo që thotë Berisha lidhur me sovranitetin besoj se në këtë pikë jemi të gjithë në një varkë, sovraniteti as mund të shitet, as të blihet dhe as të luhet me të. Kemi një kryeministër pazarxhi kufijsh për Shqipërinë e Kosovën, ka shitur gjithë sovranitetin e Shqipërisë, ndaj dhe sovraniteti sot është më i tronditur se kurrë. Pra, ky shqetësim madhor i Berishës, sigurisht që është kapur dhe nga ne, por me tonet dhe zërin e Berishës, i bën mirë vendit”, tha ai. Ndër të tjera, Vasili foli edhe sa i përket mospasjes së një grupi parlamentar. Ai tha se LSI nuk po bën përpjekje dhe as negociata për të krijuar një grup parlamentar në Kuvend. Sipas tij, LSI mund të vijojë betejat edhe pa grup. “Nuk na vjen keq që nuk kemi grup parlamentar, sepse koncepti i grupit parlamentar është thjesht burokraci parlamentare. Në Kuvend janë të gjitha hapësirat që ekzistojnë për debat e nisma”, tha Vasili.

Marrëdhëniet PD-LSI

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili foli edhe sa u përket marrëdhënieve mes PD dhe LSI. Ai nuk pranoi që mes dy partive opozitare të ketë krisje. Sipas tij, që të dyja partitë mbeten opozitare dhe kauza e tyre është e njëjtë, pavarësisht se secila parti mund ta shprehë atë në forma të ndryshme. “Nuk jemi larg me njëri-tjetrin, jemi në sallën e Parlamentit të vendosur në krahun opozitar. Edhe më parë, gjithmonë ka pasur momente kur partitë marrin vendimet e tyre sovrane. Ne kemi pasur raport tjetër kur ishte çështja e grevës edhe kjo krijoi diskutim atëherë. Nuk ka vend për diskutim, çdo forcë opozitare zgjedh se cili është aksioni më i drejtë politik, ndërsa një forcë tjetër zgjedh një gjë tjetër. Ne nuk jemi një parti dhe s’do të jemi kurrë. Unë e them publikisht që kam votuar kundër kryetares së Kuvendit, ndërsa PD zgjodhi të merrte një vendim spektakolar, të griste votën, por produkti i fronit opozitar në fund është i njëjtë. Ne nuk jemi PD dhe PD nuk është LSI”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here