Thellohen përplasjet mes deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe kryeministrit Edi Rama. Pak ditë më parë në mbledhjen e asamblesë Kombëtarë të PS, kryeministri Rama zbuloi emrat e qeverisë së re “Rama 3”, ku ra në sy se figura si Braçe nuk ishin më në planet e kryesocialistit. Për rrjedhojë e premtja që shkoi ishte dita e fundit në detyrë si zv/kryeministër për Erion Braçen. Por ky i fundit ka ditë që shfaqet hatërmbetur ndaj shefit të qeverisë, pasi nuk është më as pjesë e qeverisë dhe madje as e komisioneve parlamentare, ndërsa nuk ka nguruar edhe të nxjerrë në pah pakënaqësitë e tij për qasjen politike brenda Partisë Socialiste. Dje ligjvënësi Braçe ka publikuar në rrjetet sociale një video ku tregon teksa mbledh sendet e tij nga zyra, për t’ia liruar zv.kryeministrit të ri, Arben Ahmetaj. Mes sendeve që zgjodhi t’i vinte në dukje janë: faqja e parë e gazetës “Zëri i Popullit” të datës 27 gusht 2005, topi i futbollit e disa libra, midis tyre edhe “Vrasja e një kryeministri”.
Braçe ikën dhe përmbys karrigen
Por ajo që shihet në video është mesazhi që zoti Braçe përcjell, që thënë troç është një kunjë për kryeministrin Rama. Braçe ndërsa mbledh rraqet e veta, në shenjë revolte ka përmbysur karrigen nga inat, ndërkohë që në statusin e gjatë thekson se ai nuk është hajdut dhe se ka punuar me ndershmëri, duke thumbuar kështu shefin e qeverisë, që e la jashtë qeverisë, komisioneve parlamentare dhe partiake, pasi para se të emërohej zv/kryeministër ai ka qenë kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. “Të premten që shkoi puna ime në qeveri u mbyll; marrëdhënia e krijuar nga dëshira për t’u shërbyer njerëzve në atë nivel mbaroi. Një përvojë e çuditshme pushteti, përvojë karrigeje, e komplikuar, që as e doja e as e kërkova-ma kërkuan, as e pranova si të tillë e as më pranoi. Por pata lirinë të kundërshtoj, të them JO; Kam votuar pro me bindje, kam firmosur po aq i bindur çdo vendim në favor të së mirës publike, ashtu siç kam firmosur formalisht, sipas ligjit për shkak të kryesimit të mbledhjes, shoqëruar me mendimin tim kundërshtues në përputhje me parimet e bindjet e mia; Nuk hyra si hajdut, nuk dola si hajdut”, shkruan Braçe.
Rama përjashton veteranët nga organet e Kuvendit
Por nuk është vetëm Erion Braçe që ka mbetur jashtë qeverisë dhe komisioneve parlamentare. Gazeta u ka bërë një analizë 5 komisioneve parlamentare të drejtuara nga Partia Socialiste dhe rezulton se kryeministri Edi Rama ka përjashtuar veteranët nga organet drejtuese të Kuvendit. Themelet e kësaj reforme të thellë, zoti Rama i hodhi që në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS në fillim të këtij shtatori, ku figura si Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, etj, mbetën jashtë qeverisë dhe Kryesisë së Partisë Socialiste. Ndërkohë kjo furtunë është reflektuar edhe në komisionet parlamentare, ku Braçe që ka drejtuar Komisionin e Ekonomisë nuk drejton më një të tillë, apo Fatmir Xhafaj që drejtonte Komisionin e Ligjeve nuk i është besuar drejtimi i ndonjë komisioni. Këta veteranë nuk janë as pjesë e Sekretarëve të Komisioneve, pasi janë zëvendësuar nga deputetë të rinj si Etilda Gjonaj, Laert Duraj, Aurora Mara, Anila Denaj, Klevis Xhoxhi, si dhe deputetët Klotilda Bushka, Blerina Gjylameti, etj. Pra, duket qartë që kryeministri Edi Rama po distancohet nga “garda e vjetër” në PS.










































