Google search engine
Home Aktualitet “Nana” në galerinë “FAB”, piktori Zaim Elezi prezanton punë nga vitet ’80-të...

“Nana” në galerinë “FAB”, piktori Zaim Elezi prezanton punë nga vitet ’80-të e deri tani

0
342

“Nana” titullohet ekspozita me punë të piktorit Zaim Elezi, që hapet sot në galerinë “FAB”, Universiteti i Arteve. Ekspozita personale e piktorit të mirënjohur është e kuruar nga prof. Sadik Spahija. Piktori Elezi sjell në ekspozitë një grup punimesh, që fillojnë nga vitet ’80-të e deri më sot, vepra që prezantohen për herë të parë. Prof. Spahija në tekstin e tij kuratorial shprehet se tema e amësisë ka prezantuar ndjenjën e dashurisë së thellë, lidhjen e pazgjidhshme dhe hyjnore që lidh nënën me fëmijën, duke mbetur një nga temat më të bukura dhe më tërheqëse në historinë e artit. Spahija thotë se Zaim Elezi prezanton në ekspozitë punë që nga vitet ’80 e deri më sot, kohë që rrok dy sistemet, shumë ndryshime, por që në këtë ekspozitë ruan vetëm një dimension, dashurinë për nënën, të parë në 360 gradë. “Ajo çka dallojmë, së pari, që bën veçantinë e këtij autori në raport me temën, është se ai nuk ka reshtur së pikturuari nënën, duke mbetur në thellësi tema e jetës në krijimtarinë e tij. I gjithë korpusi i këtyre veprave nuk është ekspozuar asnjëherë. Ai i ka pikturuar ato për kënaqësinë e tij. Sado narciziste të duket kjo, e parë në kontekstin e kohës ku shtrihen shumica e veprave, përbën një sfidë përballë temave dhe kanoneve të imponuara të realizmit socialist. Tema e nënës, ndjenjat nënë-fëmijë, si ndjenjat më natyrale, mund të vinin në plan të dytë ose vinin në dyshim tematikën e asaj kohe”, shprehet prof. Spahija në tekstin e tij. Kuratori vijon se autori nuk shfaqet asnjëherë me praninë e tij fizike, (përveç një rasti të sjellë enkas), duke e lënë personazhin në përditshmërinë e saj.

Mjeshtëria e vizatimit

Prof. Sadik Spahija shprehet më tej, se mjeshtëria e vizatimit e ndihmon ta ndjekë personazhin pa e trazuar, duke e përcjellë si kujtesë në ritualin e saj. Sipas tij, piktori e modelon fort atë, duke kërkuar tridimensionalitetin, i cili në shumicën e rasteve e zotëron hapësirën. “Me një modelim skulptorik prania e personazhit fuqizohet pa zbukurime të jashtme, duke fituar siguri dhe forcë. Ngjyra vepron në drejtime të tjera. Aty ai është më spontan, aq sa ruan masat e mëdha dhe të sheshta, aq dhe e shkërmoq sipërfaqen duke e prekur me ndjeshmëri të rralla. Peneli i tij sa i dukshëm dhe i ngjeshur mbi telajo me plot siguri, po aq tretet dhe zhduket, duke i lënë vend një hapësire pa tregues, duke vënë në pah gjendjen psikologjike. Ai është mjeshtër i ekuilibrit dhe i fokusit ritmik”, shprehet kuratori. Zaim Elezi mbaroi studimet në vitet ‘80 në Institutin e Lartë të Arteve. Pjesë e përhershme e ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare, nga fundi i viteve 80-të e në vazhdim, duke përmendur kështu ekspozitë personale në Selinë Botërore të Tregtisë në Gjenevë, Zvicër; ekspozitë personale në Universitetin Popullor të Gjenevës, ekspozitë personale dhe kolektive në Annmase, Francë si dhe ekspozita të shumta kolektive në Itali, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë etj. Ekspozita qëndron për publikun deri më 30 shtator në “FAB”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here