Google search engine
Home Aktualitet Miron Kotani: Në skena duhet të dominojë muzika shqiptare, në 30 vite...

Miron Kotani: Në skena duhet të dominojë muzika shqiptare, në 30 vite ka munguar promovimi nga shteti, jemi me hapin e breshkës

0
280

Promovimet për veprat muzikore shqiptare dhe botimet janë të pakta. Kështu shprehet kompozitori i njohur Miron Kotani, i cili shton se duhet të jetë edhe një institucion, një bibliotekë kombëtare e muzikës. Por deri tani sipas tij asgjë nuk ka ndryshuar. Në intervistën për “SOT” kompozitori Kotani pohon se në vendin tonë për promovime dhe botime të muzikës ecet me hapa të ngadalta, por në skenën e institucioneve tona duhet të ketë më shumë muzikë shqiptare dhe pjesa tjetër ti takojë veprave të huaja muzikore. Sipas tij edhe opera dhe balete, që janë vënë më parë në skenë duhet të rikthehen për publikun. Kotani shprehet se pas viteve ’90 ndihet boshllëku i veprave të mëdha muzikore në skenë, por nuk mund të themi që nuk ka krijimtari shqiptare.

-Si ka nisur vjeshta për ju sa i përket aktivitetit artistik?

Verën e kam kaluar me aktivitete të ndryshme, ku kam qenë edhe në qytetin e Korçës. Tani në sezonin e vjeshtës të shohim se si do të vijojë, urojmë mos ketë më kufizime nga pandemia.

-Ju herë pas here publikoni dhe materiale rreth Festivalit të Këngës në RTSH. A do të merrni pjesë këtë vit?

Nuk besoj të marr pjesë këtë vit si autor, sepse dhe këtë vit jam i paqartë për rregulloren, për stafin, si do të funksionojë.

-Ju u shprehet se vera ka pasur aktivitete të ndryshme. Tirana çfarë ofroi sipas jush gjatë sezonit?

Aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore ka pasur në Tiranë, sidomos së fundmi ishte dhe inaugurimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, që ishte ngjarje.

-Sezoni artistik ka nisur, ju si e shikoni Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në jetën artistike dhe kulturore?

Nëse nuk do të ketë kufizime nga pandemia TKOB duhet të funksionojë normalisht dhe të ketë një kalendar artistik siç funksionojnë në gjithë botën, por gjithmonë duke ruajtur raportet e përfaqësimit të muzikës shqiptare. Mendimi im është që duhet të jetë 80 për qind në skenë muzikë shqiptare që të promovohen edhe veprat e reja por dhe ato ekzistuese, që të jenë në jetën koncertore gjithmonë në skenë për publikun. Pra duhet 80 për qind muzikë shqiptare dhe pjesa tjetër të jetë muzikë e huaj.

-Autorë të njohur të muzikës shqiptare janë shprehur se mungojnë veprat e reja të operës dhe baletit në skenë. Sipas tyre autorët nuk stimulohen për veprat e mëdha në fushën e muzikës. Kur flasim për këto vepra, ju si e shikoni këtë problematike?

Pas viteve ‘90 ndihet boshllëku i madh i veprave të reja. Por nuk mund të themi që nuk ka muzikë shqiptare. Të vihen në skenë balete dhe opera që janë ekzistueset, por dhe të bëhen përpjekje që të kemi në skenë edhe vepra të reja. Por jo të rrimë zero. Të themi nuk ka vepra të reja dhe mos bëjmë asgjë. Jep si institucion ato vepra që ke, vëri në program të gjitha dhe ne kemi muzikë shumë të bukur, duke filluar që nga baleti “Halili dhe Hajria”, kemi muzikë operistike, etj. Pse duhet të presim ne vetëm në përvjetorë? Institucionet kujtohen për kompozitorët shqiptarë vetëm kur ka ndonjë ngjarje apo përvjetor ditëlindjesh, që të vihet në skenë një pjesë shqiptare. Çdo javë, çdo muaj duhet të ketë një program të qartë me muzikë shqiptare dhe autorë për këtë ka shumë. Unë njoh dhe autorë që kanë vepra të reja, por që nuk arrijnë ti shfaqin dot në skenë. Pra kemi krijimtari muzikore. Një problem tjetër tek është botimi i veprave muzikore shqiptare.

-Çfarë po ndodh sipas jush me këtë problem?

E kam thënë dikur dhe në një debat në RTSH vite para, që kompozitorët kosovarë të paktën janë të botuar. Ai që është i interesuar i gjen veprat në librari, gjë të cilën Shqipëria nuk e ka. Pavarësisht se ne kemi muzikë dhe vepra më shumë, jemi shumë mbrapa për sa i përket aspektit të digjitalizimit dhe promovimit të muzikës shqiptare, qoftë për të krijuar libraritë muzikore dhe bibliotekat nacionale. Nuk kemi ende bibliotekë muzikore kombëtare dhe për shumë gjëra të tjera, deri tek rivëniet në skenë të veprave të autorëve shqiptarë, që për mendimin tim ka qenë shumë e cunguar. Këtu shto dhe politikat kulturore të institucioneve të tjera.

-Kur thoni dhe politikat kulturore të institucioneve të tjera, çfarë ka munguar në fushën e krijimtarisë muzikore?

Ne po flasim vetëm për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, por një rol edukues duhet të kishte dhe RTSH, që muzikën me vlerë shqiptare e ka pothuajse zero në transmetim. E gjejmë shumë rrallë, me pikatore për fat të keq.

-Ministria e Kulturës dhe mbështetja ndaj krijimtarisë muzikore shqiptare?

Ka gjëra që janë bërë shumë mirë, ka gjëra që duhet të bëhen më mirë, por ka dhe gjëra që janë bërë keq. Ky është mendimi im. Por gjë shumë e mirë ishte rikonstruksioni i TKOB, që duhet të ishte bërë këtu e njëzet vjet përpara nga shteti shqiptar. Po megjithatë shumë mirë që u bë tani dhe kemi një folezë cilësore për artin dhe skenën e muzikës shqiptare.

-Si është gjendja me të drejtën e autorit në vend nëse flasim për krijimtarinë muzikore?

E drejta e autorit tek ne ka një përkeqësim. Në vitin 2017 pati një përmirësim duke qenë se ishte miratuar ligji për të drejtën e autorit në 2016, por që më pas u ndryshua. Pati një ecuri pozitive në vitin 2017, por më pas nga ai vit e deri tani kemi ardhur në zbehjen e kësaj të drejte, flas gjithmonë për “Albautor” jo për agjencitë e tjera. Unë kujtoj që për 2020 nga të ardhurat që unë mora për të drejtë e autorit si autor ishin 10 mijë lekë të reja për gjithë vitin, që ishte dhe vit i vështirë nga mbyllja e pandemisë. Tek ne ligjet janë, por nuk zbatohen siç duhen.

-Si e nisët koleksionin e literaturës së muzikës shqiptare, një nismë nga ju dhe sa ka rëndësi?

Kur isha në klasë të 4 fillore unë isha në kursin e pianos dhe studioja në shkollën, që ishte “Kongresi i Përmetit”. Mësuesja e pianos më caktoi një pjesë të Kozma Larës, një prelud. Nuk kishte atëherë botime, dhe im atë shkoi të takonte profesor Larën që të merrte partin muzikor. Me shkrimin e profesorit, im atë e ka marrë dhe e ka kopjuar me dorë me nota dhe unë edhe sot e ruaj atë prelud të profesor Kozma Larës. Pra që në atë kohë ka pasur mungesa të botimeve muzikore. Por në ato vite ka pasur edicione të ndryshme me aq mundësi sa kishte shteti i para viteve ‘90. Ndërkohë që pas ‘90 e deri më sot nuk kemi botime të muzikës shqiptare, përjashtuar ndonjë përvjetor apo ngjarje të rrallë, siç ishte dhe botimi i baletit shqiptar “Halili dhe Hajria”, që u promovua me shumë të drejtë dhe seriozitet. Por si kjo duhet të botohet çdo vepër për çdo autor. Tish Daija ka dhe vepra të tjera, pse mos të botohet gjithë kolana e veprave të tij ose e Çesk Zadesë, Feim Ibrahimit, Prenk Jakovës, etj. Ne jemi shumë mbrapa në këtë drejtim. Ne folëm vetëm për muzikën serioze, por muzika është një fushë e gjerë, dalim te muzika e lehtë, festivalet e këngës, festivalet për fëmijë, që duhen botuar. Duhet krijuar biblioteka e muzikës shqiptare, apo arkivi, muze, s’ka rëndësi emërtesa, por duhet ndërtuar institucioni. Sot i kemi autorët, por pas 20 vitesh ku do ti gjejmë veprat e tyre? Do trokasim nëpër shtëpi. Por a janë më ato vepra? Ndaj shteti duhet të krijojë një mekanizëm. Krijimtaria muzikore shqiptare nuk mund të rrijë nëpër shtëpi të autorëve. Shteti duke pasur brumin, duke i pasur të ruajtura në mënyrë graduale të shikohet dhe mundësia e botimit dhe digjitalizimit ose arkivimit siç i kërkon koha me forma moderne. Propaganda për artin dhe kulturën ka munguar nga shteti në këto 30 vite tranzicion shqiptar. Promovimet e botimet i kemi me pikatore. Ka filluar këto dy vite të ecë diçka, por jemi me hapin e breshkës, duhet të ecet shumë më shpejt. Të bëhet mbase dhe me ligj, që çdo autor të çojë dy kopje të veprës në shtet, mund ti çojë dhe te biblioteka e letërsisë, por të bëhet me ligj kjo punë. Nuk bëhet kjo punë vetëm me pasion dhe dëshirën e mirë të individit, por shtetit. Ministria e Kulturës ka një rol të madh në muzikën shqiptare, por dhe institucione të tjera si TKOB, RTSH, Universiteti i Arteve dhe Liceu Artistik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here