KLGJ shkund gjyqtarët, u ndalon telefonat gjatë gjyqit dhe kufizon aktivitetin e tyre në rrjetet sociale, valë kritikash për shkeljen e Kodit Etik

0
314

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të marrë masa sa i takon etikës së gjyqtarëve. Përmes dy opinioneve, Këshilli për Etikën ka vendosur që të ndalohet përdorimi i celularëve nga magjistratë gjatë proceseve gjyqësore, ndërkohë që është kufizuar aktiviteti i tyre në rrjete sociale. Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesën për hartimin e një vendimi kuadër për ndalimin e përdorimit të telefonit celular nga ana e gjyqtarëve, gjatë seancave gjyqësore, duke u pasqyruar edhe në Kodin e Etikës Gjyqësore. SHAA thekson se parashtrimi i kësaj çështje ka ardhur si rrjedhojë e denoncimeve nga qytetarë të ndryshëm, përdorues të shërbimeve gjyqësore, të cilët kanë konstatuar se gjatë gjykimit, gjyqtarët përdorin telefonat celularë, ndërkohë që palët diskutojnë për çështjen konkrete. SHAA thekson se kjo sjellje ka krijuar një atmosferë mosbesimi tek publiku, duke cenuar rëndë seriozitetin, solemnitetin e gjykimit dhe etikën gjyqësore. Vetë KLGJ në argumentet e saj është treguar tepër kritike në këtë aspekt. Sipas saj është e papranueshme të shkelen rregullat e etikës. “Në përfundim të këtij parashtrimi, çmojmë se është haptazi e papranueshme dhe në kundërshtim jo vetëm më normat e Kodit të Etikës Gjyqësore, por edhe në kundërshtim me ligjin, përdorimi i telefonit celular apo shfaqja e çdo lloj sjellje që vë në dyshim paanësinë dhe integritetin e gjyqtarëve (pavarësisht nëse janë në cilësinë e anëtarit apo të kryesuesit të trupit gjykues). Në këtë vështrim, sjellja si brenda dhe jashtë gjykatës tregon integritet, ndikon në rritjen e besimit, respektit të publikut tek gjyqtarë të caktuar, si dhe në nje kontekst më të gjerë, kontribuon në besimin e publikut për sistemin gjyqësor në tërësi. Gjyqtarët duhet të veprojnë me një shkallë të lartë sjellje, vetëpërmbajtje, korrektësi dhe humanizëm”, shprehet KLGJ.

Rrjetet sociale

Një tjetër çështje e mbërritur pranë KLGJ është aktiviteti i gjyqtarëve në rrjetet sociale. Kjo ka ardhur pas publikimit të videove në Tik Tok nga ana e gjyqtares së Elbasanit. KLGJ përmes një opinioni shprehet se gjyqtarët mund të përdorin rrjetet sociale, por aktiviteti i tyre duhet të jetë i kufizuar. “Gjyqtarët mund të përdorin mediat sociale, por duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përfshihen në një proces me dy hapa për tu siguruar që veprimtaria e tyre virtuale është përputhje të vazhdueshme me kodin. Së pari, ata duhet të vlerësojnë me kujdes komentet/postimet/deklaratat e tyre, duke përdorur udhëzimet e mësipërme, para se të vendosin të postojnë diçka në mediat sociale. Së dyti, ata duhet të monitorojnë reagimet ndaj këtyre postimeve dhe përfshirjen e tyre në forume të caktuara në mediat/rrjetet sociale që ata përdorin. Gjyqtari duhet të ketë në konsideratë faktin që mund të jetë e pamundur për të që të verifikojë çdo faqe në mediat/rrjetet sociale, ku ato kanë komentuar ose për të ndryshuar sjelljen e kontakteve/miqve virtualë në internet”, shprehet KLGJ.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here