Dosja në ngarkim të Erjon Alibejt është transferuar nga Prokuroria e Elbasanit në Prokurorinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Prokuroria e Elbasanit shpalli moskompetencë, ndërkohë që Alibej dyshohet se është porositësi i dy vrasjeve në verën e vitit të shkuar në qytetin e Elbasanit, Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj. Për këto krime të rënda janë vënë në pranga fillimisht Xhuljana Hoxha dhe Eugen Halili si ekzekutorët e Ramazanit dhe Runajt në 20 dhe 27 korrik 2020. Ndërsa në shtator të 2020-ës, zyrtarisht Policia e Elbasanit deklaroi se porositës i dy vrasjeve ishte Erjon Alibej. Erjon Alibej është vëllai i Indrit Alibejt, i cili është vrarë në dhjetor të 2018-ës. Emiljano Ramazani i njohur me nofkën “Rramani” u bë poshtë shtëpisë së tij, teksa ai po parkonte automjetin tip “Ford Fokus”. Autorët kanë qenë tre vetë në makinë dhe njëri prej tyre ka qëlluar 5 herë me armë tip pistoletë. Ndërsa pak ditë pas vrasjes së tij u gjet i vrarë edhe miku i tij i ngushtë Regis Runaj, 23 vjeç, i vrarë me thikë, trupi të cilit u gjet i hedhur në rrugë. Mësohet se autorët e vrasjes pasi qëlluan 7 herë më thikë në trupin e 23-vjeçarit, u përpoqën të fshehin gjurmët e krimit, duke e hedhur trupin e pajetë buzë rrugës afër varrezave të qytetit, në një rrugë të fshehtë ku nuk kalojnë njerëz.
Vrasja e Runajt dhe Ramazanit
34-vjeçari Erion Alibej dyshohet se është porositësi i 2 vrasjeve, por ekzekutimi është bërë nga dy persona të tjerë, të identifikuar me emrat Euglen Halili dhe Xhuljano Hoxha, të dy të arrestuar. Sipas burimeve, Euglen Halili është i penduari i drejtësisë, i cili ka bashkëpunuar me prokurorinë dhe ka zbardhur të gjithë vrasjen e Runajt, mik me Emiljano Ramazanin. Referuar dëshmisë së tij Halili është shprehur se ka kryer vrasjen për të cilën është paguar disa mijëra euro. Fillimisht të dy, Halili dhe Runaj mësohet të kenë konsumuar së bashku kokainë dhe më pas janë nisur në drejtim të varrezave të qytetit. Ndërsa, udhëtimi është kryer me një motor, ku më pas Halili e ka qëlluar me thikë rreth 26 herë. Por njollat e gjakut në motorin e Halilit, kanë çuar në identifikimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë sipas burimeve, Halili ka luajtur dhe një rol të rëndësishëm në vrasjen e Emiljano Ramazanit, i cili e ka vëzhguar dhe ka informuar vrasësit për vendndodhjen e tij, i cili mbeti i vrarë me 5 plumba një javë para se të ekzekutohej Runaj. Mësohet se organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve në Elbasan është vëllai i Endrit Alibej, i riu i cili është ekzekutuar në sy të familjarëve të tij 2 vite më parë. Sipas burimeve, bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 29 dhjetor të 2019, kur Endrit Alibej së bashku me Arben Dylgjerin, 56 vjeç kushëririn e tij dhe një turk Erdal Durunay, 51 vjeç janë ekzekutuar në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh ku një makinë ka qëlluar drejt 3 të vrarëve. Mësohet se tre personat kanë qenë në një makinë Range Rover me targa rumune dhe janë qëlluar në prani të familjarëve të tyre. Ndërsa Emiljano Ramazani ose siç njihej ndryshe me nofkën “Raman”, ekzekutimi i të cilit është bërë në 20 korrik të këtij viti është emër i njohur për drejtësinë. Ai është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve. Gjithashtu mësohet se “Ramani” ka qenë disa herë i arrestuar dhe dënuar. Në 2012 ai është arrestuar së bashku me 5 persona të tjerë për drogë. Pesë vite më pas ai është kapur sërish së bashku me një tjetër person, pasi iu gjet kokainë në makinë. Asokohe iu gjetën 10 doza kokainë, 50.000 lekë dhe 14 aparate celularësh.