“International Jazz in Albania Festival”, edicioni i dhjetë edhe për stimulimin dhe mbështetjen e muzikës xhaz në Shqipëri

0
206

“International Jazz in Albania Festival” këtë vit po zhvillon edicionin e dhjetë, duke shënuar kështu një strukturë artistike muzikore të konsoliduar dhe me reputacion që sjell prej vitesh në Tiranë dhe jo vetëm, dhjetëra artistë të rëndësishëm të muzikës xhaz nga vendet e Europës, Ballkanit, Shqipërisë, të cilët me performancat e tyre shpalosin arritjet më të larta krijuese dhe interpretuese të kësaj rryme. Festivali ndërkombëtar “Jazz in Albania” nisi edicionin e dhjetë më datë 16 shtator dhe do të zhvillohet deri më 19 në Tiranë, Fier dhe Pogradec. Festivali këtë vit sipas organizatorëve vjen me pjesëmarrje të grupeve xhaz nga Austria, Izrael, Suedi, Greqi, Gjermani, Turqi, Maqedonia e Veriut, Serbi, Mali i Zi, dhe grupet xhaz nga Shqipëria. Në materialin rreth festivalit muzikor që nisi më datë 16, thuhet se përgjatë ditëve të tij janë dhe organizime me workshope të udhëhequra nga muzikantë të mirënjohur xhaz për muzikantët e rinj xhaz. “Kjo është një eksperiencë e përvitshme në festivalin tonë, e cila ka rezultuar e suksesshme në pjesëmarrje dhe performancë. Festivali zhvillohet open air në amfiteatrin e Universitetit të Arteve dhe “Mayfair Tirana”. Një projekt që përmbush më së miri misionin fisnik të artit, krijimtarinë dhe interpretimin e artistëve të rinj të talentuar të muzikës jazz e world music. Vitalizon jetën artistike të kryeqytetit me një event që bën pjesë në kartelonin e festivaleve xhaz në Europë, Ballkan e më gjerë, që vendos ura bashkëpunimi cilësore dhe promovuese të Tiranës si qendër e rëndësishme e eventeve të tilla prestigjioze”, thuhet në material. Drejtues artistik i festivalit është Gent Rushi, personalitet i rëndësishëm i interpretimit dhe krijimtarisë në fushën e xhazit dhe më gjerë, pjesëmarrës në evente ndërkombëtare dhe të ftuar nderi në festival janë dhe organizatorë të festivaleve homologe në Ballkan dhe Europë.

Qëllimi i festivalit

Qëllimi kryesor i festivalit sipas organizatorëve është stimulimi dhe mbështetja e muzikës xhaz në Shqipëri, kultivimi i xhazit nga grupet shqiptare të rinj dhe të rritur, mbështetja e krijimtarisë xhaz shqiptare, duke u krahasuar me nivelet EU dhe ndërkombëtare. Por dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe vendosja e bashkëpunimit me artistë elitarë ndërkombëtarë të kësaj rryme dhe në tërësinë e tij aktiviteti është në shërbim të vitalizimit dhe pasurimit të jetës artistike në vend. Një pikë e rëndësishme e festivalit është realizimi i shkëmbimeve të Youth Jazz Bands në rajonin e Ballkanit dhe vende të Europës përqark rajonit, duke zhvilluar nëpërmjet muzikës “JAZZ & World Music” një dialog interkulturor midis muzikantëve të rinj xhaz të rajonit të Ballkanit, i cili do të manifestohet me koncerte të përbashkëta ditën ndërkombëtare të muzikës më 21 qershor. Shoqata që organizon për të 10 vit festivalin ndërkombëtar të xhazit është “Syri Blu”. Festivali ka mbështetjen e Bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës, ambasadave përkatëse, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here