Trajneri Mancini optimist se Italia e tij mund ta fitojë Botërorin “Katar-2022”. Për momentin përjashtohet drejtimi i ndonjë klubi
Italia fitoi kampionatin europian të këtij viti, duke u dëshmuar si një prej skuadrave më të qëndrueshme të momentit në botë, por njëherësh edhe një skuadër që duhet sfiduar nga rivalët e saj të futbollit botëror. Trajneri Roberto Mançini u pa si strateg i kësaj Italie, një trajner me përvojë dhe që gjeti formulën e duhur të funksionimit që e çoi përfaqësuesen axurre drejt titullit europian. Por Mançini nuk dëshiron të ndalet këtu. “Oreksi vjen duke ngrënë”, thotë një shprehje dhe në rastin e Mançinit merr vlerë, sepse në krye të Italisë së futbollit ai dëshiron të fitojë një trofe akoma më të madh se Europiani, ai dëshiron trofeun e Kupës së Botës. Një ambicie e tillë erdhi e shprehur edhe në media nga goja e vetë trajnerit, i cili u pyet në mënyrë provokative nëse ishte i gatshëm të linte përfaqësuesen dhe të merrte drejtimin e një klubi. Në të vërtetë nuk do ta përjashtonte si mundësi, por kjo gjë duket e pamundur për momentin. Kështu, tekniku Roberto Mançini e lë të hapur mundësinë që në një të ardhme të marrë sërish drejtimin e një klubi futbolli. Në konferencën për shtyp para një eventi të organizuar për nder të tij në qytetin Jesi, 56-vjeçari deklaroi se ndihet i motivuar për të ardhmen. “A do të kthehem të stërvit një klub? Tani kemi para Kupën e Botës, më vonë të shohim. Tani duhet të qëndrojmë të fokusuar në Kupën e Botës, duhet të arrijmë sa shpejt kualifikimin dhe duhet të përpiqemi të fitojmë Ligën e Kombeve. Nuk mendoj për të marrë një klub, jam i fokusuar në ekipin kombëtar. Të jesh trajner i përfaqësueses është gjëja më e mirë”, u shpreh trajneri i përfaqësueses “axurre”, Roberto Mançini. Për hipotezën e FIFA -s për të luajtur Kupën e Botës çdo dy vjet Mançini komentoi: “Është diçka për t’u vlerësuar. Kupa e Botës është interesante, sepse vjen një herë në katër vjet. Nëse do të luhej çdo dy vjet, do të thoshte një Kupë Bote, një Evropian, një Kupa e Botës, një Evropiane. Nuk e di, duhet të flasim për të”, theksoi më tej ai. Mançini më pas iu kthyer triumfit të të kaltërve në Kampionatin Evropian, duke e quajtur një sukses i arritur falë një mbështetjeje të madhe nga i gjithë populli italian. “Në Kampionatin Evropian filluam me synimin për të bërë diçka të veçantë për njerëzit tanë. Ndjemë që një vend i tërë na mbështeste dhe na shtynte përpara, kjo na dha forcë të madhe. Djemtë dhanë në fushë gjithçka, përtej mundësime të tyre”, tha në fund Mançini. Mbetet të shihet e deri ku do ta çojë ai përfaqësuesen italiane.









































