Këngëtari Ermal Meta zhvillon këtë mbrëmje koncert në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë. Të enjten një ditë para koncertit këngëtari i famshëm Ermal Meta në konferencën për shtyp tha mes të tjerave se këtë mbrëmje do mundohet të mbajë koncertin më të mirë. Këngëtari tha se është një nder shumë i madh për të. “Hera e tretë që bëj koncert këtu dhe sa herë vij më duket si hera e parë sikur nuk kam bërë kurrë një koncert, po dridhem sot imagjinoni nesër. Do mundohem të bëj koncertin më të mirë në jetën time. Është hera e parë që bëj koncert në një stadium dhe të gjitha energjitë do i shkrij mbi skenë”, tha ai. I pranishëm në konferencë ishte dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri Fabrizio Bucci. Në fjalën e tij ai tha se ndihet i lumtur për organizimin e këtij koncerti, që tregon më së miri edhe marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se dyert e stadiumit do të hapen, duke respektuar dhe protokollet. “Do t’i hapim dyert që në orën 17:00 që të kemi mundësi të fillojmë me koncertin në orën 19:00, dhe të japim mesazhin që jo vetëm që Tirana është hapur, por që në duam ta shijojmë jashtëzakonisht këtë raport special që ne kemi me Italinë dhe në 30- vjetorin e eksodit”, tha Veliaj. Më herët Ambasada Italiane në vendin tonë lajmëronte se do të ishte një koncret fantastik. “Ermal Meta rikthehet në Tiranë për të performuar në një koncert fantastik. E ftuar speciale, me një super hapje të koncertit më magjik të vitit, Elhaida Dani”, shprehej ambasada, ku të gjithë të pranishmit duhet të jenë të pajisur me maska, në përputhje me rregullat anti-covid. Kantautori italian Ermal Meta ka marrë pjesë në tre edicione të Festivalit të Sanremos, ku në 2018 fitoi edhe çmimin e parë me këngën “Non mi avete fatto niente”, së bashku me këngëtarin italian Francesco Moro. Pasi kompozoi këngë për disa artistë italianë, ai filloi karrierën e tij solo, duke nxjerrë edhe albumet Umano (2016) dhe Vietato morire (2017) dhe “Non abbiamo armi”, (2018).










































