Emocione të mëdha prodhoi mbrëmë Liga e Kampioneve, me ndeshjet e para në katër grupet e para të saj. Lionel Mesi dhe Paris San Zhermen duhet të jepnin mbrëmë prova se funksionojnë së bashku. Në fakt, parizienët shënuan të parët, por belgët e Klub Bruzhit barazuan brenda pjesës së parë. Krye ndeshja doli barazim 1-1, duke bërë që PSG e Mesi me shokë të zhgënjejnë në hapje të ndeshjeve në grupe të Champions League. Po në grupin A, Mançester Siti u përball me Leipzigun. Gjermanët rivalizuan fort në pjesën e parë, por Siti ishte gjithë kohës në avantazh, falë cilësisë së skuadrës së Guardiolës. Fituan anglezët me rezultatin 6-3, që tregon potencë në sulm, por edhe dobësi në mbrojtje. Në grupin B, kryendeshja ishte ajo mes Liverpulit dhe Milanit, e cila dhuroi spektakël. Në fillim ishte Tomori që shënoi autogol në portën milaneze, por Milani arriti ta përmbyste rezultatin në fund të pjesës së parë me anë të Rebiç dhe Brahim Diaz. Por në fillim të pjesës së dytë Mohamed Salah shënoi golin e barazimit për 2-2. Liverpuli përmbysi shifrat në minutën e 69-të me anë të Henderson, duke bërë që Liverpuli të fitonte 3-2. Ndeshja tjetër e këtij grupi ishte Atletiko e Madridit-Porto, e cila u mbyll në “paqe”, pra 0-0. Në grupin C, Beshiktashi turk nuk arriti të shfrytëzojë efektin fushë, pasi u mund nga Borusia e Dortmundit, me rezultatin 2-1. Po në grupin C, Sportingu i Lisbonës u përball me Ajaksin. Holandezët u treguan më cilësorë në këtë takim dhe e fituan atë me shifrat e thella 5-1. Në grupin D, kryetakimi ishte ai mes Interit dhe Realit të Madridit. Ishte një takim i fortë dhe me saktësi në veprime. Skuadrat u treguan racionale në veprime. Megjithatë, në sekondat e fundit të takimit Reali shënoi me Rodrigon golin e avantazhit dhe të fitores. Ndërkohë, Sherif Tiraspoli i Moldavisë, skuadër që eliminoi në turin e parë eliminator të Champions League Teutën tonë, fitoi ndeshjen e parë në grup me Shakhtar Donetskun, 2-0, duke shënuar një rezultat historik në këtë kompeticion.









































