Këshilli i Lartë Gjyqësor do të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor të 3 gjyqtarëve. I pranishëm në mbledhjen e sotme do të jetë vetë kryeinspektor Artur Metani, ndërkohë gazeta ka mësuar se seanca dëgjimore do të nisë në orën 13.00, ku fillimisht do të shqyrtojë kërkesën për procedim disiplinor të ILD ndaj gjyqtarit Hektor Sinani, gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Më pas do të zhvillohet në orën 14:30 seancë dëgjimore për kërkesën për procedim disiplinor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ndaj gjyqtares Pajtime Fetahu, e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan. Ndërsa në orën 16:00 është vijimi i seancës ndaj gjyqtares së Apelit Tiranë, Evjeni Sinoimeri, për të cilën ILD kërkon shkarkim nga detyra për mosparaqitje në detyrë.
Hapen dosjet e vjetra
Por sipas informacioneve nga KLGJ, mësohet se të dy rastet u takojnë ankimimeve të vitit 2017, të cilat ishin nisur si hetime disiplinore nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së kohës, por që kishin mbetur të papërfunduara, pasi prej 2018-ës, pra për dy vjet, deri kur u krijua ILD, Ministria e Drejtësisë, të cilës sipas ligjit i ishin dorëzuar raportet, nuk arriti të ushtronte kompetencën e vet për nisjen e procedimit disiplinor ndaj magjistratëve dhe eventualisht propozimin e masave në KLD-në e kohës. ILD është thelluar në hetimin e dy rasteve duke marrë prova shtesë dhe ka konkluduar se dy magjistratët kanë kryer shkelje disiplinore. Për të dy ILD do i kërkojë KLGJ, masën disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë jo më të gjatë se një vit”.
Mbi 2 mijë dosje në skaner
Megjithatë, vlen të theksohet fakti se procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit Hektor Sinani dhe gjyqtares Pajtime Fetahu, janë pjesë e “thesit” të dosjeve që Inspektori i Lartë të Drejtësisë ka trashëguar nga institucionet e ngarkuara me ligj për hetimin disiplinor (mbi 2000 dosje të trashëguara nga institucionet e tjera, e që qëndronin në pritje për hetime apo vendimmarrje) deri në krijimin e Zyrës së ILD-së. Bëhet fjalë për dosje, që ILD po i trajton me prioritet, pasi kanë qëndruar gjatë në institucionet e tjera dhe rrezikojnë arkivimin për shkak të parashkrimit 5-vjeëar.
Sot mblidhet edhe KLP
Nga ana tjetër, ditën e sotme në orën 11:00 do të mblidhet edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Gazeta ka siguruar axhendën e mbledhjes së sotme, ku do të emërohen disa prokurorë në prokuroritë e rretheve. “Diskutim/miratim i relacionit mbi renditjen dhe caktimin në detyrë të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë; Diskutim/miratim i relacionit mbi renditjen dhe caktimin në detyrë të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat; Diskutim/miratim i relacionit mbi miratimin e renditjes së kandidatëve në garë për pozicionin vakant Nr 1 shpallur me Vendimin Nr. 184, datë 09.06.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për procedurën e lëvizjes paralele në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat”, thuhet në njoftimin e KLP.