Tre anëtarë me shtetësi të huaj dhe dy anëtarë shqiptarë ka këshilli i ri i miratimit të projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Këshilli miratues për projektet në QKK apo bordi siç shprehen kineastët do të jetë me mandat ligjor shtator 2021 – shtator 2023. Kineastët shprehen se pesë anëtarët në këshillin miratues të projekteve u zgjodhën përmes një votimi online. QKK bën me dije se për këtë proces u regjistruan 53 si kineastë votues. Po sipas QKK, u pranuan si votues dhe u pajisën me kredencialet e votimit 51 kineastë, dhe morën pjesë në votim 48 kineastë votues. “Vota të vlefshme rezultuan 48 vota”, shkruan Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Rezulton që në zbatim të rregullores së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK) përbërja e këshillit të miratimit të projekteve të jetë me Vjollca Dedein vlerësuar me 31 vota, Bashkim Hoxha vlerësuar me 30 vota, Nino Kirtadze vlerësuar me 38 vota, David Pope vlerësuar me 26 vota, si dhe Pavlina Jeleva vlerësuar me 23 vota. Këshilli i ri miratues i projekteve me afat tre vjeçar vjen pas aplikimeve, që hapi më parë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. QKK bën me dije se në këshillin e ri që u votua kandidaturat me shtetësi shqiptare ishin: Vjollca Dedei vlerësuar me 31 vota, Bashkim Hoxha, vlerësuar me 30 vota, Gazmend Leka vlerësuar me 19 vota dhe Ylljet Aliçka vlerësuar me 16 vota. Për anëtarë në këshill kandidaturat me shtetësi të huaj ishin Nino Kirtadze vlerësuar me 38 vota, David Pope vlerësuar me 26 vota, Pavlina Jeleva vlerësuar me 23 vota, Johannes Naber vlerësuar me 21 vota, Ales Pavlin vlerësuar me 21 vota dhe Karin Howard vlerësuar me 15 vota.h
Kundërshtimet më herët për të huaj
Përcaktimi i kritereve për personat që do të kishin të drejtë për t’u regjistruar dhe certifikuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, për të votuar dhe zgjedhur këshillin miratues të projekteve dhe kriteret e kandidatëve për anëtarë të KMP janë diskutuar dhe në takime, që janë zhvilluar më parë me kryetarët e shoqatave të kineastëve. Por përbërja e këshillit miratues të projekteve në QKK me 2 anëtarë shqiptarë dhe 3 të huaj ka hasur më parë dhe në kundërshtimin e disa prej kineastëve, që nuk binin dakord. Mevlan Shanaj kryetar i shoqatës së kineastëve shqiptarë “Lumiere”, në mbledhjen që u bë në qershor të këtij viti bëri me dije se ishte shprehur kundër kësaj përbërje. “Nuk jam dakord me formulën për të qenë të huajt në këshillin miratues të projekteve”, u shpreh më herët kineasti Shanaj. Në takimin që u bë në QKK mes çështjeve që u diskutuan me kryetarët e shoqatave të kineastëve u ra dakord që KMP të ketë strukturë: a) 3 anëtarë me shtetësi të huaj, që duhet të plotësojnë kriteret: 1 anëtar të jetë regjisor, producent; 2 anëtarë të cilët duhet të jenë skenaristë; b) 2 anëtarë me shtetësi shqiptare, të cilët duhet të plotësojnë kriteret: një të jetë regjisor dhe një të jetë producent ose skenarist.
































