Teatri Shëtitës “Çajupi” nis vjeshtën me shfaqje të suksesshme. “Boeing Boeing” një komedi, që në çdo skenë deri më tani është mirëpritur nga publiku vjen për dy mbrëmje me radhë në Tiranë. Të mërkurën dhe të enjten, ora 20.00 në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve do të nisin fluturimin stjuardesat e linjës së shumë kërkuar “Boeing Boeing”, me regji të Kiço Londos. Në komedinë “Boeing Boeing” vepër e autorit Marc Camoletti ngjarjet ndodhin në Paris, në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Farsa moderne franceze, e cila është përkthyer dhe është shfaqur në gjithë botën, paraqet një arkitekt të suksesshëm parizian, i cili bashkëjeton me tri stjuardesa ajrore. Me ndihmën e shtëpisë së tij dhe oraret e tyre të fluturimit i mban të gjitha për mrekulli. Kur shoku i tij i vjen në shtëpi dhe Boeing prezanton një aeroplan të ri, më të shpejtë, gjërat fillojnë të ngatërrohen. Shfaqja përfshin emra të njohur të skenës teatrore, të cilët do të interpretojnë arkitektin e suksesshëm, tre të dashurat stjuardesa, shërbëtoren shtëpiake e cila është e mirë në gjithçka dhe shokun e arkitektit. Në rolet e veprës janë aktorët Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka, Katerina Fili dhe Rudina Denbacaj.
Performanca teatrore
“Boeing Boeing” është pohuar si shfaqja më e suksesshme teatrore e 30 viteve të fundit. E shpallur si një nga shfaqjet me më shumë të qeshura, Teatri Shëtitës “Çajupi” shprehet se kjo komedi fizike nuk duhet humbur. “Dashuri, seks, identitete të gabuara”, shkruan teatri rreth ngjarjeve në komedi. Regjisori dhe kasti i zgjedhur i aktorëve sulmojnë historinë e ngjarjeve me energji të gjithanshme. Një paraqitje e përgjithshme e mahnitshme, sipas teatrit e shpejtë në të gjitha linjat. “Alarmi i ngjan atij të pasagjerëve të një avioni të shpartalluar, gjatë një rënie fatale. Shfaqja e mrekullueshme e aktorëve brilant, të cilët ngjisin të gjitha llojet e shkallëve me padurim, duke e bërë të qeshurën infeksion”, thuhet për komedinë. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbej dy çmime, “Tony Award” në 2008 dhe “Broadway Revival Edicion” po atë vit. “Boeing Boeing” është një shfaqje e rajonit Durrës- Lezhë dhe me shumë sukses është dhënë më parë në sallat e teatrove në Durrës, Elbasan, Fier, Tiranë, Shkodër dhe Korçë. Vepra e cila vjen e përkthyer nga Nasi Lera është me skenografi nga Genta Qyrku, kostumografe Realda Malo dhe art-design Klea Mani. Komedia e famshme “Boeing Boeing” prodhim i Teatrit Shëtitës, është një sipërmarrje e rrallë. Për herë të parë në këto 30 vjet është vendosur një rekord spektakolar. Afro 170 shfaqje kudo nëpër Shqipëri. Fluturimi do të rinisë në Tiranë, në 8 dhe 9 shtator në mbrëmje nga Teatri Veror i Universitetit të Arteve.









































