Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërcënuar dje hapur kryedemokratin Lulzim Basha që të mos guxojë të ndërmarrë ndonjë nismë për largimin e tij nga grupi parlamentar. Teksa 10 shtatori kur do mbahet seanca e parë plenare po afron, Berisha duket se ka ndarë mendjen se do të qëndrojë deputet dhe do të fusë PD në një konflikt të hapur me amerikanët. Madje, ndërsa zërat për largimin e tij po shtohen, ai ka dalë dje në një intervistë në “Euronews Albania”, përballë gazetares Erla Mëhillit, e cila dikur ka qenë zëdhënësja e tij dhe i ka sfiduar hapur amerikanët dhe Bashën. Berisha e bëri të qartë se nuk ka ndërmend as të heqë dorë nga mandati dhe as të largohet nga grupi i PD. “Ditën e premte do të shkoj në Parlament në përputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve. Unë nuk fshihem pas mandatit. Nuk fshihem prapa sovranitetit. Nuk fshihem prapa dinjitetit. Unë bëj gjithçka për të mbrojtur sovranitetin e vendit tim, sepse është shprehur nga zgjedhësit shqiptarë. Asgjë nuk mund ta shkelmojë atë dhe mua nuk më mbetet tjetër përveçse ta respektoj. Asgjë nuk më detyron mua të shkelmoj mbi dinjitetin tim. Mandati është i parlamentit të një vendi Sovran. Unë nuk bëj asgjë tjetër përveçse i nënshtrohem sovranitetit. I nënshtrohem Parlamentit dhe dinjitetit. Kjo është betejë për ekzistencën e PD në mbrojtjen e demokracisë”, tha ai.
Berisha frikë nga Basha
Por ish-kryeministri Sali Berisha duket se i trembet një vendimi kundër tij dhe për këtë arsye ja bëri të qartë Lulzim Bashës se nuk duhet të guxojë të mbajë një qëndrim kundër tij, nëse nuk kërkon më para nga SHBA që të nxjerrë faktet kundër tij. “PD duhet të ketë fakte, dokumente dhe prova. Jashtë tyre PD qëndrim tjetër nuk mund të mbajë. Nëse ajo do gjendej para provave dhe fakteve, PD do bënte gabim historik nëse nuk merrte vendim për përjashtimin tim. Por nëse PD kërkon transparencë ajo bën detyrën e saj. Unë padiskutim që do jem pjesë e grupit të PD”, tha ai. I pyetur nëse Basha merr venim kundër tij ai tha: “Nëse ai e bën këtë po heq dorë nga qëmtimi i të vërtetës. Nëse e merr të vërtetë atë që është thënë, ai delegon arsyen e tij dhe ky është problemi i tij. Njeriu i civilizuar që e ka të çmuar dinjitetin njerëzor mendon së transparenca është ligji themelor”.
Blofi i Berishës
Më tej ish-kryeministri Berisha ka kërcënuar ashpër Bashën, por duket se edhe po tenton të luajë blofin. Ai ja bëri të qartë se nëse ai vendos ta përjashtojë pa pritur faktet, atëherë ai do ngrihet për të marrë frenat e partisë. “Raportet e mia me zotin Basha, me PD dhe cilindo tjetër ndërtohen mbi bazën e disa parimeve të caktuara. E sigurt që unë në respekt të atyre parimeve qëndroj plotësisht dhe nuk lëkundem. Por nëse PD do ndërmerrte një qëndrim parimor, Sali Berisha do bënte gjithçka që PD të bëhej si ajo që ka qenë. (Do ktheheshit në krye të saj?) Asnjë lloj kufizimi nuk mundtë kem unë për kithin e PD mbi vlerat që ajo është themeluar”, tha ai. Berisha shkoi më tej duke ja bërë të qartë Bashës se ai ka shumë mbështetje në PD dhe falë tyre mund të bëjë gjithçka. “Po, unë kam pasur dhe kam influencë shumë të fuqishme në PD. Përse kjo? Nuk gjen sot një njeri që thotë se zura atë post për shkak të ndërhyrjes së Berishës. Influenca ime në PD buron thjesht sepse unë kam mbrojtur interesat e saj partie me vendosmërinë më të madhe. Kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër krimin e organizuar, kur të tjerë kanë frikë të përmendin emra. Kam mbrojtur interesin kombëtar, kaq kam bërë unë. Të gjitha këto qëndrime që unë mbaj, janë me mijëra statuse, nuk kanë qëllim protagonizmin. Unë s’kam asnjë objektiv përveçse të mos qëndroj indiferent ndaj të keqes. E keqja s’do asgjë të triumfojë përveçse heshtja e njerëzve të mirë”, tha ai.
Berisha kërkon revolta
Ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi kryedemokratin Basha dhe për zgjedhjet në PD. Ai u shpreh se nuk duhej të mbaheshin zgjedhje pas “masakrës së 25 prillit”. Nga ana tjetër ai kërkoi që PD të mos i pranojë zgjedhjet dhe të ngrihet në revolta. “Opozita duhet të bashkohet dhe të shkojë drejt një bashkim sa më të gjerë, jo vetëm në rrafshin mes opozitës, por përtej saj. Opozita duhet ta bëjë natën, ditë. Të ngrejë revoltën dhe protestën brenda dhe jashtë Parlamentit. Nuk ka stabilitet pa votë. Ka ndodhur një gjë në Shqipëri, që komuniteti ndërkombëtar i ka njohur zgjedhjet. Por nga ana tjetër nuk ka vendosur sanksione. Pse nuk e dinë ndërkombëtarët çfarë është sistemi i patronazhimit? Por meqenëse kjo nuk ka ndodhur, nuk do të thotë se opozita ka humbur të drejtën. Sepse po u fute në Parlament, duhet që të ketë mobilizim qytetar për të vendosur votën e lirë. Në zgjedhjet e vitit 2025 nuk do të ketë zgjedhje, por farsë, nëse opozita nuk mobilizohet dhe ngrihet”, tha Berisha.





































