Muzeu i ikonografisë “Onufri” dhe ai Etnografik në Berat në muajin gusht pritën vizitorë, që treguan interes për muzetë. Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat bën me dije se në gusht numri i vizitorëve arriti 4288. “Jemi në muajin e fundit të sezonit e gjithsesi muzetë janë përherë e më të përzgjedhur për tu vizituar nga turistët vendas e të huaj që vizitojnë Beratin. Në muajin gusht numri i tyre arriti në 4288 vizitorë, 357 për qind krahasuar me muajin maj të këtij sezoni, apo 151 për qind e krahasuar me muajin paraardhës”, shkruan QKM, Berat. Sipas kësaj qendre, në periudhën maj – qershor muzeu i ikonografisë “Onufri” dhe muzeu Etnografik u vizituan nga 10570 vizitorë vendas dhe të huaj. Qendra Kombëtare Muzeore Berat është institucion i specializuar dhe arkivor me status “muze kombëtar” në varësi të Ministrisë së Kulturës me seli në qytetin e Beratit, e cila administron muzeun ikonografik “Onufri” dhe muzeun Etnografik.
Muzeu i ikonografisë “Onufri” dhe muzeu Etnografik mbledhin ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth. Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shek XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare. Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. Muzeu Etnografik është përshtatur në vitin 1979 në një banesë tradicionale të qytetit.









































