Sezoni artistik ka nisur për teatrot në vend dhe pas mbylljes së gjatë nga pandemia puna ka nisur për premierat e reja, apo dhe për të risjellë në skenë shfaqjet që janë prezantuar më parë. Teatrot në vend kanë nisur aktivitetin, por në sezonin artistik primare për artistët mbetet dhe cilësia artistike. Regjisorja Elma Doresi fituese e çmimeve të ndryshme në festivale teatrore thotë se për të pasur një shfaqje me sukses janë disa hapa, që duhet të ndiqen për realizimin e saj. “Në teatër, nuk ka miqësi! Nëse do një shfaqje të suksesshme apo të nxjerrësh një produksion të mirë, duhet të ndjekësh këto hapa. Vepra, një vepër e mirë thotë populli “në mos do të rrjedhë, do të pikojë”. Përzgjedhja e aktorëve, ti afrohesh imazhit apo konceptit tënd pa “sepse e kam mik” apo” sepse e ka mirë me drejtorin” ose “sepse fitoj projektin duke përzgjedhur atë””, shprehet Doresi në reagimin e saj. Për regjisoren Elma Doresi rëndësi në produksionet artistike ka dhe skenografia apo dhe kostumet që realizohen. Doresi thotë se në kohën sot është fat nëse gjen dikë, që arrin të çojë përpara punën. “Skenografi dhe kostumografia janë sërish pika kyçe në realizimin e një shfaqjeje. Duhet të ecin paralelisht me konceptin e regjisorit ( të cilin po e marr me mend dhe besoj se e ka). Fat është kur gjen dikë, që ta çoj përpara konceptin”, tregon regjisorja Elma Doresi, që rendit dhe pika të tjera si grimi ndriçimi apo edhe muzika.
Rëndësia e bordit
Jo pak herë është folur për bordin artistik në teatër. Bordi, i cili miraton projektet teatrore, që zhvillohen në jetën artistike të institucionit. Por për regjisorët bordi artistik duhet të tregojë vëmendje te projektet dhe të mos lejojë plagjiatura. Regjisorja Elma Doresi thotë mes të tjerave, se për atë që ajo shprehu për shfaqjet ka rol dhe bordi artistik në teatër. Doresi thotë se bordi me anëtarët e tij nuk duhet të ketë ndikim njohjesh. “Unë rendita disa pika më lart, po që të realizohen të gjitha këto, duhet si fillim të ketë një bord artistik. Bordi artistik duhet të përzgjedhë regjisorin dhe platformën e tij. Bordi nuk duhet të ketë ndikim njohjesh, miqësish apo qoftë dhe joshje me para. Kujdes! Bordi duhet të jetë i aftë të dallojë nëse në këtë platformë nuk ka plagjiaturë. Në rast të kundërt, bordi duhet të mbajë përgjegjësi njësoj si regjisori”, pohon regjisorja. Me shfaqje të ndryshme në skenat teatrore, regjisorja Elma Doresi thotë në fund se është një zinxhir i tërë që duhet të funksionojë mirë. “Regjisori duhet të shtrojë brenda platformës të gjitha ” Pse-të” dhe risitë që ai do të sjellë ( në rast se ka ). Në rast se, ky zinxhir do të funksiononte, do të ishim shumë lart. Në rast se funksiononte ky zinxhir do të kishim cilësi artistike”, shprehet Doresi. Në vijim të aktivitetit të saj artistik, regjisorja Doresi do të sillte një tjetër premierë në teatrin e Podujevës. Behet fjalë për veprën “Nusja në thes” shkruar nga Hekuran Zhiti, por për shkak të situatës me pandeminë regjisorja tregon se kjo shfaqje është shtyrë për më vonë.









































