Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra më 13 korrik gjyqtaren e Gjirokastrës, Mirela Iliopullo, pasi arriti në përfundimin se kishte mungesë të burimeve financiare në vlera të mëdha për pasuritë dhe shpenzimet e kryera; se kishte kryer në mënyrë të përsëritur deklarime të pamjaftueshme dhe se kishte fshehur pasurinë, duke cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Sipas vendimit të zbardhur nga “Birn”, Komisioni e cilëson të dyshimtë mënyrën e përfitimit të tre trojeve nga familja e subjektit të rivlerësimit. Gjyqtarja Iliopullo ka deklaruar për herë të parë në vitin 2014 një shesh ndërtimi me sipërfaqe 400 m2 në Sarandë. Nga verifikimi i kësaj pasurie, Komisioni ka gjetur se me të njëjtin vendim të Këshillit Bashkiak Sarandë të vitit 1999, ka përfituar edhe ish-bashkëshorti një truall tjetër me sipërfaqe 367.8 m2. Pas zgjidhjes së martesës, dy ish-bashkëshortët kanë nënshkruar një deklaratë noteriale në vitin 2014, ku secili ka rezultuar të ketë marrë tokën e përfituar. Subjekti ka pretenduar se nuk e zotëron truallin e marrë në emër të saj dhe ka dorëzuar vërtetim nga Bashkia Sarandë se nuk është realizuar ende kontrata e shitblerjes së truallit. Megjithatë, KPK i ka kaluar barrën e provës për mosdeklarimin e njërit prej shesheve të ndërtimit dhe ngre dyshime për mënyrën e përfitimit. “Duket se kjo pasuri është përfituar në mënyrë të dyshimtë, referuar kritereve përcaktuese dhe vijueshmërisë së gjendjes faktike, për sa kohë familja e saj ka përfituar njëkohësisht tre sheshe ndërtimi”, konstaton KPK dhe vlerëson se subjekti nëpërmjet këtyre përfitimeve ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Sipas KPK, Iliopullo nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim distancimi, duke pranuar përfitimin e padrejtë, madje pa e deklaruar përfitimin e njërit prej shesheve as në deklaratat vjetore dhe as në atë veting.
































