Gjyqtarja e Gjykatës së Beratit, Adelajda Gjuzi, u përball dje me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja u pyet si edhe dha shpjegime për pasurinë. Ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin u tha se nuk ishin konstatuar shkelje të rënda procedurale. Procesi i vetingut për gjyqtaren Gjuzi u krye nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Alma Faskaj, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Komisioni i ka kaluar barrën e provës gjyqtares Gjuzi për disa gjetje lidhur me një apartament në Tiranë, të blerë prej saj dhe bashkëshortit në vitin 2014, si dhe për dy garazhe në përdorim të blera nga vjehrri. Relatori Hamitaj shpjegoi se subjekti dhe bashkëshorti e kanë blerë apartamentin në vitin 2014 për çmimin 8.6 milionë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se vlera 7 milionë lekë është likujduar në momentin e nënshkrimit të kontratës, ndërsa pjesa e mbetur 1.6 milionë lekë është konsideruar si hua që do të shlyhej në momentin kur pasuria të pajisej me certifikatë pronësie. Nga verifikimet e kryer prej Komisionit, nuk është konstatuar konflikt interesi mes subjektit, shitësit të apartamentit dhe shoqërisë ndërtuese. Si burime krijimi për vlerën 7 milionë lekë të paguar në vitin 2014 për apartamentin, subjekti ka deklaruar një dhuratë në favor të bashkëshortit nga prindërit e tij në shumën 3 milionë lekë dhe hua. Gjyqtarja Gjuzi e vlerësoi hetimin administrativ të kryer nga Komisioni dhe u shpreh dakord me konkluzionet. Ajo sqaroi se gjatë periudhës së rivlerësimit kishte punuar rreth 1 vit e gjysmë si gjyqtare dhe se apartamentin e kishte blerë në kohën kur punonte si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë. Ajo theksoi, se kursimet e bashkëshortit dhe prindërve të tij kishin qenë të depozituara në bankë. Sipas Gjuzit, vjehrri dhe vjehrra zotëronin aktivitet tregtar në qytetin e Elbasanit që prej vitit 2000 dhe se kishin paguar detyrimet si biznes i vogël sipas ligjit. Në fund të seancës gjyqtarja Gjuzi kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi, se vendimi do të shpallet më 7 shtator, ora 09:30.










































