Ndërkohë që ka përfunduar e gjithë euforia dhe sensibilizimi që mbështillte situatën e fundit të luftës amerikane në Afganistan dhe evakuimit të trupave ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara janë duke e rikthyer vëmendjen në politikën e jashtme tek të tjera shtete, duke e quajtur Afganistanin një operacion thuajse tashmë të përmbyllur. Presidenti amerikan Joe Biden ka zhvilluar një takim me Presidentin e Ukrainës Volodimir Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Takim gjatë të cilit zoti Biden ka konfirmuar mbështetjen ndaj Ukrainës dhe mbrojtjen e saj kundër shtetit rus. Ai është shprehur se SHBA është e vendosur të bëhet një aleat më i besueshëm për Ukrainën dhe për miqtë e tjerë të Amerikës. Udhëheqësi amerikan u përpoq ta siguronte homologun ukrainas se administrata e tij qëndron plotësisht përkrah këtij vendi të Evropës Lindore, teksa shtoi se ishte goxha i shqetësuar në lidhje me agresionin e Rusisë në rajon. “Shtetet e Bashkuara mbeten fuqimisht të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës përballë agresionit rus, si dhe në mbështetje të aspiratave euroatlantike të Ukrainës”, tha zoti Biden. Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014. Që atëherë, ajo mbështet edhe luftën e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës. “Lufta në Donbas është në vitin e saj të tetë; kemi humbur 15,000 njerëz”, tha zoti Zelensky duke iu referuar konfliktit me separatistët e mbështetur nga Rusia në zonën lindore të Ukrainës, njëkohësisht edhe zonë e rëndësishme industriale e vendit. Pritja nga Biden është vlerësuar nga presidenti ukrainas. “Në një kohë të vështirë për botën dhe Shtetet e Bashkuara gjithsesi ju gjetët kohë të takoheni me ne dhe ne jemi vërtetë mirënjohës për këtë”, tha zoti Zelensky, duke iu referuar faktit se data e caktuar për takimin e tyre ishte shtyrë dy ditë si pasojë e tensionit të situatës në Afganistan. Ndërkohë, presidenti amerikan vuri në dukje se shteti i Ukrainës është ende larg anëtarësimit në NATO dhe sugjeroi se ky vend duhet të luftojë korrupsionin dhe të realizojë reforma. Përpara fillimit të takimit mes dy homologëve, SHBA bëri me dije se ka akorduar një shumë prej 60 milionë dollarësh ndihmë ushtarake për Kievin. Paketa e re, e cila përfshin raketa më të sofistikuara anti-tank, vjen mbi 400 milionë dollarët që Uashingtoni i siguron Ukrainës për shpenzime vjetore. Administrata tha në një deklaratë për Kongresin se paketa e ndihmës për Ukrainën ishte e nevojshme për shkak të një “rritjeje të madhe të aktivitetit ushtarak rus përgjatë kufirit mes tyre” dhe për shkak të sulmeve me mortaja, shkeljeve të armëpushimit dhe provokimeve të tjera.
“Nord Stream 2”
Në takimin mes liderëve të dy vendeve, është diskutuar në lidhje me ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, i cili do të transportojë gaz natyror rus direkt në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën, ndërtimin e të cilit SHBA ka zgjedhur të mos ta bllokojë. VOA ka raportuar se gazsjellësi kundërshtohet ashpër nga Ukraina dhe Polonia, si dhe nga republikanët dhe demokratët në Kongres. Zelensky e cilësoi tubacionin një armë të fuqishme gjeopolitike për Rusinë. Nord Stream 2, që po ndërtohet nën Detin Baltik, lejon Rusinë të anashkalojë Ukrainën, projekt që mund të privojë potencialisht Ukrainën nga miliarda dollarë në tarifat e tranzitit që tani fiton për transferimin e gazit rus në Evropë. SHBA e kundërshton tubacionin e ri, e shqetësuar se do t’i japë Rusisë shumë fuqi mbi furnizimet evropiane me energji. Biden dhe Zelensky thanë se e shohin “Rrjedhën Veriore 2” si një kërcënim për sigurinë energjetike evropiane. Dy vendet deklaruan mbështetjen e tyre për masat për të ruajtur rolin e tranzitit të gazit të Ukrainës. Sipas deklaratës së përbashkët, të dy vendet thanë se e shohin gazsjellësin si një kërcënim për sigurinë energjetike të Evropës, ndërsa SHBA-ja deklaroi synimin për të vazhduar përdorimin e masave të parashikuara në legjislacion dhe diplomacinë energjetike, përfshirë emërimin e fundit të këshilltarit të lartë për sigurinë e energjisë. Megjithatë, u vu re se të dy vendet mbështesin përpjekjet për të rritur kapacitetin për furnizimin me gaz në Ukrainë nga burime të larmishme.








































