Festivali “Adriatik” çel sezonin e ri artistik në teatrin Metropol. Festivali do të prezantohet për publikun me shfaqje të ndryshme teatrore dhe koncerte në datat 6-19 shtator, jo vetëm në skenë por dhe te amfiteatri i Tiranës. Ky festival organizohet në kuadër të projektit AIDA (Adriatic Identity through Development of Arts) një projekt i përbashkët dhe i rëndësishëm mes Italisë – Shqipërisë dhe Malit të Zi. Për herë të parë Teatri Metropol u përzgjodh në këtë projekt si përfaqësues i teatrove shqiptare. Teatri Metropol bën me dije se ky projekt, i cili ka nisur një vit më parë, ka si synim të krijojë një model identiteti bazuar mbi vetëdijen dhe memorien kolektive të komuniteteve pranë detit Adriatik. “Projekti ka krijuar rrjete bashkëpunimi me qytetet Leçe, Campobasso, Tiranë dhe Ulqin, të cilat së bashku do të përfaqësohen në Tiranë gjatë netëve të festivalit me shfaqjen “Riparimi”, me regji nga Cesar Brie dhe aktorë nga të tre shtetet”, shprehet teatri për festivalin “Adriatik”, që nis më datë 6 shtator dhe do të vijojë disa ditë me radhë me shfaqje jo vetëm në skenën e teatrore, por dhe te amfiteatri i liqenit të Tiranës. Teatri Metropol bën me dije se si pjesë e këtij projekti ka hulumtuar specifikisht mbi historikun dhe zhvillimin e ngjarjeve sociale dhe kulturore të lagjes së Kombinatit. “Ndërsa projekti vetë ka për qëllim të tregojë se është e mundur të shqyrtohen shumë vendndodhje të rajonit nga një këndvështrim i vetëm, duke hedhur dritë mbi shumë të përbashkëta dhe pika kontakti midis qytetarëve dhe komuniteteve të territoreve të ndryshme të përfshira në projekt”, shprehet institucioni ndër të tjera. Gjatë kësaj periudhe të gjatë që nga koha e nisjes së projekti AIDA janë zhvilluar një sërë aktivitetesh artistike. Ka nisur me një kërkim studimor, me veprën e shkruar nga Cesar Brie e deri në premierën e shfaqjes vënë në skenën nën drejtimin artistik të Salvatore Tramçerës
Kalendari i festivalit 6-19 shtator
Në 6 shtator është “N’Konak” koncert nga Ansambli Tirana, koreograf Sedmir Memia (amfiteatri i Tiranës), që do të vijojë dhe në datën 7 po te i njëjti vend. Në 8 shtator është “Këngëtarja Tullace”, danc- teatër me regji dhe koreografi nga Gjergj Prevazi (amfiteatri i Tiranës), që do të vijojë dhe më datë 9 të këtij muaji. Në teatrin Metropol nga data 9 shtator nis shfaqja premierë “Kapter Behari” nga Stefan Çapaliku, që do të jetë në skenë dhe në datat 10, 11, 12. Më 15 shtator është “Riparimi” shfaqje e përbashkët Itali – Shqipëri – Mal i Zi, me regji nga Cesar Brie (teatri Metropol). Në 16 shtator “Il Companatico” shfaqje nga Salvatore Tramacera, (teatri Metropol). Në datën 17 shtator do të jetë një takim me studiues për të diskutuar mbi temën e Kombinatit. Më datë 18 shtator është “Audienca e Vaclav Havelit”, shfaqje me regji të Agon Myftarit (teatri Metropol) dhe në 19 shtator koncerti “N’Konak” nga Ansambli Tirana me koreograf Sedmir Memia do të zhvillohet të sheshi i Kombinatit.








































