Humbja e Shqipërisë nda Polonisë duket se ka bërë që furia e zhgënjimit të tifozëve të bjerë dhe mbi mbrojtësin e kombëtares Ardian Ismajli. Ky i fundit sapo ka mbyllur një transferim tek Empoli duke u bërë shok skuadre me Nedim Bajramin, por ndeshja e djeshme nuk ishte ndër më të mirat për të.
Ka qenë babai i tij i cili përmes një postimi në facebook ka denoncuar mesazhet fyese ndaj tij dhe familjes së mbrojtësit të Kombëtares pikërisht pas përfundimit të 90-minutave të lojës.
Postimi i Ilmi Ismajlit:
“Të dashur vëllezër, ne si familje dhe në veçanti Ardiani prej momentit që kemi zgjedhur Kombëtaren Shqiptare kemi kaluar periudha të vështira nga kërcënimet, fyerjet dhe etiketime më të ulëta që i bëhen një lojtari dhe familjes së tij dhe ende vazhdojnë. Unë besoj që kjo është e porositur edhe nga njerëz të fuqishëm.
Ne nuk kemi zgjedhë të luajmë për një shtet armik, por për nënën Shqipëri e cila është e të gjithëve ashtu siç është edhe Kosova dhe të gjitha trojet Shqiptare. Këto veprime prej më të ulëtëve neve vetëm sa na forcojnë, për Ardianin është edhe një motiv shtesë që të punoj e të arrijë majat e futbollit botëror.
Ju falënderoj të gjithëve që keni qenë pranë nesh dhe na keni përkrahur që të jemi më të fortë. Fotoja e fundit nuk ka koment. Përpara Ardian, përpara djem shqiptarë! Suksesi do të arrijë shumë shpejt vetëm të bashkuar.”









































