Google search engine
Home Politike Berisha sfidon SHBA dhe i çon mesazh Bashës se nuk ka ndërmend...

Berisha sfidon SHBA dhe i çon mesazh Bashës se nuk ka ndërmend të largohet, njerëzit pranë tij ngrenë dyshime për bashkëqeverisje PD-PS

0
287

Ish-kryeministri Sali Berisha duket se po shkon drejt një skenari konfliktual me Lulzim Bashën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi duket i vendosur për të mos lënë mandatin e deputetit. Edhe pse njerëzit pranë kreut demokrat ia kanë bërë të qartë se ai duhet të largohet, ish-lideri demokrat u është kthyer mesazheve të koduara. Ditën e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha postoi një video në rrjetin e tij social Facebook ku pasazhi “Shqipëria nuk meriton të largohemi” ishte dhe mesazhi i qartë se ish-lideri demokrat nuk ka ndërmend të largohet nga Parlamenti. Sipas Berishës, vendi meriton punë dhe guxim të madh jo largime. “Të mos presim asnjë orë, asnjë ditë. Çfarë po bëjnë shqiptarët, çfarë po bëjmë vetë për t’i inkurajuar ata, për t’i organizuar ata, për t’i mbledhur ata, për t’u rikthyer atyre shpresën, besimin se Shqipëria, e bukura e dheut nuk meriton të largohemi, por meriton të punojmë me guxim të madh”, shprehet Berisha në video.

Reagon Harxhi

Nga ana tjetër ish-kandidatja për kreun e PD, Edith Harxhi dje ka reaguar ndaj bashkëqeverisjes PS-PD. Harxhi njihet si njeri i afërt i Berishës ç’ka shton sinjalet se edhe ish-kryeministri i trembet një bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës. Harxhi tha se Rama dhe Basha i përkasin të njëjtit model e prerjeje. Sipas saj të dy udhëheqësit e partive janë autokratë të standardeve komuniste që duan vetëm të shkatërrojnë sistemin e demokracisë. “Dy “udhëheqësit” e mazhorancës dhe opozitës, të dy autokratë të standardeve më komuniste dhe orientale vendosën/emëruan pa zgjedhje përsëri të preferuarit e tyre. E vështirë të kuptosh si mundet që të paktën njëri të bënte sikur të mos imitonte tjetrin, thjeshtë për të mos treguar që janë ata që kanë marrë detyrën vite më parë nga i njëjti projektues për shkatërrimin e sistemit demokratik në Shqipëri. Njëri me Rilindjen 2 e tjetri me Republikën 2 e një të ashtuquajtur Platformë Demokratike! Janë një prerje, një model”, u shpreh ajo. Ndërkohë Harxhi duket se po ndjek të njëjtën linjë si Berisha sa i përket nxitjes së revoltave. Ajo u shpreh se Rama dhe Basha kanë patur si skenar të shkatërrojnë PD e tani do kthehen në tryezën e bashkëpunimit. Sipas Harxhit, populli duhet të ngrihet fuqishëm dhe të reagojë ndaj shkatërruesve të demokracisë duke iu referuar kështu revoltave. “Skenari kishte si pjesë shkatërrimin përfundimtar të PD si e vetmja parti antikomuniste e mbetur gjallë nga ish-vendet komuniste. ER dhe LB e arritën dhe e kryen me sukses misionin e ngarkuar. Tani do kthehen në tryezën e bashkëpunimit të vazhdojnë bashkëpunimin “institucional” aty ku e kishin lënë në 2017-ën. Atëherë ne si popull që zgjohemi vonë nga letargjia historike na duhet të përgatitemi për betejë. Duhet të ngrihemi dhe të reagojmë fuqishëm, të organizohemi dhe ti dalim vendit për zot”, tha ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here