Klubi blaugrana e huazoi sulmuesin francez për shkak të pagës së lartë, në marrëveshje mund ta riblejë atë për 50 mln euro pas dy vitesh
Sulmuesi Antuan Griezman lëvizi në orën e fundit të merkatos, duke u kthyer tek Atletiko e Madridit. Lëvizja e tij është në formë huazimi për një vit, me opsion zgjatjen e huazimit edhe një vit tjetër dhe në fund me detyrim blerjeje për 50 mln euro. Për të mbushur boshllëkun e madhe të krijuar në fazën e avancuar, drejtuesit “blaugrana” arritën marrëveshjen me Seviljen për huazimin e Luk de Jong. Sulmuesi holandez është një njohje e vjetër me trajnerin Kuman, me të cilin ka punuar në përfaqësuesen e “Tulipanëve”. Në fakt, huazimi i Griezmanit tek Atletiko erdhi në momentin e fundit, si zgjidhje emergjente, pasi Barcelona kishte kërkuar me ngulm transferimin e Saul Niguez, i cili u transferuar te Çelsi në formë huazimi për 5 milionë dhe me të drejtë blerjeje për 40 mln euro, duke i lënë më gisht në gojë “blaugranat”. Në këtë situatë marrëdhëniesh të tensionuara mes klubeve dhe me kalimin e Niguez në Londër, Barcelona huazoi tek Atletiko Griezmanin, që i hapi vend transferimit të de Jongut të Seviljes në “Camp Nou” po në formë huazimi me të drejtë blerjeje. Se cila skuadër ka bërë lëvizjen e zgjuar, kjo do të kuptohet përgjatë sezonit nga kontributi që do të japin lojtarët në skuadrat respektive. Ndërkohë, trajneri Ronald Kuman pranoi në ndeshjen e mëparshme kundër Getafe se nuk është i kënaqur që do të ketë një grup prej 31 ose 32 lojtarë me të cilët duhet të punojë. Sidoqoftë, përkundër përpjekjeve të klubit deri në frymën e fundit të merkatos për të zvogëluar ndjeshëm këtë numër të madh lojtarësh, teknikut holandez do t’i duhet të punojë pikërisht me grupin që ka në dispozicion. Drejtuesit katalanas provuan që të largonin nga ekipi lojtarë si Samuel Umtiti, Miralem Pjaniç ose Aleks Kollado, por pa mundur dot. Në fakt lojtarë si Pjaniç dhe Kollado, u përpoqën të gjenin një tjetër alternative por as Juventusi dhe as Shefield Junajtid nuk bën hapa konkretë për të siguruar shërbimet e futbollistëve. Rasti i Umtitisë, është një tjetër problem për katalanasit. As deklarata e Kumanit, që nënkuptonte se francezi nuk është në planet e tij, as bilbilët nga tribunat, nuk ishin argumente të mjaftueshme për të inkurajuar lojtarin të kërkojë një zgjidhje, i vetëdijshëm se asnjë skuadër nuk do t’i paguajë 12 mln euro që ai kërkon nga Barcelona. Në çdo rast, me regjistrimin në ditën e fundit të mandatit të Aguerro, Mingueza, Demir dhe Luuk De Jong, Barcelona ka kompletuar 25 pozicione në ekipin e parë.







































