Trajneri Edi Reja doli dje në konferencën për shtyp para medieve, ku dha informacione rreth skuadrës, gjendjes së ekipit, objektivave për ndeshjen ndaj Polonisë etj. takimi do të luhet mbrëmjen e sotme në Varshavë edhe përbën një prej dueleve më të rëndësishëm për të dyja skuadrat në këtë rrugëtim kualifikues të grupit I, për në Botërorin e Katarit të vitit 2022. Reja e cilësoi ndeshje të vështirë, por jo të pamundur për kuqezinjtë nëse i zbatojnë mirë detyrat. “E dimë që ndeshja nuk është e lehtë. Edhe si traditë, kjo është një skuadër e cila nuk mundet në shtëpi prej 7 vitesh, ndaj nuk është e lehtë se ka vlera. Duhet të bëjmë ndeshje të kujdesshme, por pa harruar fazën ofensive, duhet bërë presing në fazën ofensive, nëse duam t’i krijojmë probleme. Nuk duhet të gabojmë asgjë se me lojtarët që ka përpara, duhet të ndërtojmë një barrierë dhe t’u japim sa më pak mundësi që të arrijnë në konkluzion”, theksoi Reja.
Levandovski, rreziku kryesor për kuqezinjtë
Trajneri Reja foli dhe për sulmuesin kryesor polak, Robert Levandovski, i cili është më i vështiri për tu mbuluar nga kuqezinjtë tanë. “Qartësisht duhet të jemi të organizuar se për Levandovskin duhet të jesh i kujdesshëm, sidomos në zonë, se ka kohë të jashtëzakonshme ndërhyrjeje. Një mbrojtës e sheh, kthen kokën e pastaj jo më se është i jashtëzakonshëm, duhet të jesh i organizuar që të jetë mundësia e një lojtari të dytë. E njohim këtë situatë dhe do të mundohemi të evitojmë në çdo mundësi ti hapësira këtij lojtari që zakonisht nuk gabion kurrë, uroj të mos ketë atë rendiment si në klub. Ndoshta në kombëtare mund të ketë ato vështirësi, por është lojtar i cili të fut frikën pasi ka aftësi të jashtëzakonshme”, shtoi Reja.
Shanset e kuqezinjve
Në vijim të prononcimit të tij, trajneri i Kombëtares foli për objektivat e tij e të skuadrës në këtë ndeshje dhe shanset e Shqipërisë në këto eliminatore. “Kur luhet, mendohet gjithmonë të bëhet më e mira. Ne nuk kemi ardhur këtu për të humbur ndeshjen. Kemi ardhur këtu fillimisht për të patur një rendiment të mirë se skuadra duhet të jetë në 100% pasi duhen këmbët për të përballuar këtë ekip. Ne jemi mjaft të vendosur dhe të bindur që kur nis grupi kualifikues. Kemi thënë që shkojmë kudo dhe luajmë shanset tona, konsideratë për këdo, por frikë nga askush. Kjo duhet të jetë moto jonë, dhe të besojmë te mundësitë që kemi, të cilat janë mundësi të rëndësishme”, theksoi më pas trajneri i përfaqësueses tonë.
Skemë mbrojtëse
Në fund Reja foli për mikun e tij, Paulo Sousa, trajnerin rival, si dhe skemën e lojës që tha do të jetë mbrojtëse. “Me Sousan ka një raport, edhe pse nuk jemi miq, ka një raport të rëndësishëm vlerësimi. Shpresoj që të gjejë zgjidhjen e duhur, por uroj që ta gjejë pas ndeshjes tonë, pasi e di se do të jetë shumë e vështirë. Por ne po bëjmë një organizim të mirë, në fazën mbrojtëse. Sigurisht nuk do të bëjmë ndeshje mbrojtëse, përveçse kur Polonia të na sulmojë vazhdimisht. Por kemi armë të rëndësishme para. Nëse na lënë hapësira mund të dëmtojmë kundërshtarin. Duhet të bëjmë ndeshje të madhe”, përfundoi Reja.







































