Komedia “5 ditë mbret” shënoi premierën në festivalin mbarëkombëtar të komedisë “KoKoFest”, në Korçë. Vepra e autorit Stefan Çapaliku, me regji nga Gjergj Prevazi ka në role gjashtë aktorë. Muzika është kompozuar nga mjeshtri i mirënjohur Endri Sina. “5 ditë mbret” me autor Çapalikun, ai u frymëzua nga një ngjarje e dëshmuar publikisht nga një klloun gjerman i quajtur Otto Witte, lindur më 1872 dhe vdekur më 1958. Regjisori Prevazi shprehet se koncepti i tij regjisorial nuk fokusohet te aspektet historike të aventurës së çmendur të kllounit gjerman. “Por nëpërmjet metaforave, detajeve, lojës së aktorëve dhe imazhit filmik, të përcjell idenë se ky vend ka pranuar apo i është imponuar shpeshherë përgjatë historisë sonë, të drejtohet nga kllounë politikë. Në të njëjtën kohë shoqëria jonë është treguar memece në përballjen me padrejtësitë, imoralitetin politik, krimin, korrupsionin. Ky fenomen shfaqet nëpërmjet prezencës skenike të një numri qeniesh interte( manekine), si metaforë e konformizmit tonë karshi pushtetit”, shprehet Prevazi, për premierën që u shfaq mbrëmë në teatrin e Korçës. Premiera erdhi me aktorët Guri Koço, Kristian Koroveshi, Dhimitraq Tasellari, Lola Meta, Katerina Fili dhe Antonio Tole. Aktori Guri Koço ishte në rolin e Ottos, për të cilin Prevazi thotë se ishte kënaqësi puna. “Dua të theksoj faktin se ka qenë një kënaqësi e veçantë të punoj me aktorin e mirënjohur korçar Guri Koço, eksperienca skenike e të cilit ka qenë ndihmesë e madhe për mua dhe për pjesën tjetër të trupës së teatrit “A.Z.Çajupi””, pohon regjisori, duke vlerësuar dhe pjesën tjetër të aktorëve në role. Regjisori Prevazi thotë se shpreh mirënjohjen për drejtoreshën e kulturës dhe teatrit “A. Z. Çajupi” Zamira Kita, por edhe të drejtoreshës së Pallatit të Kulturës Blerta Belliu, për realizimin e këtij projekti. Kostumet e veprës janë nga Lirika Pojani dhe video Pirro Gjata.
Ngjarjet e veprës
Për veprën tregohet se Stefan Çapaliku u frymëzua nga një ngjarje e dëshmuar publikisht nga një klloun gjerman i quajtur Otto Witte, lindur më 1872 dhe vdekur më 1958, por fatkeqësisht apo fatmirësisht nuk egzistojnë dokumente të tjera të tërthorta që ta vërtetojnë rrëfimin e këtij kllouni, se në 1913, na paska qenë për pesë ditë mbret i Shqipërisë. Gjithsesi historia e treguar prej tij është aq atraktive dhe ekzistuese, saqë ajo ka zgjuar frymëzimet e autorëve perëndimor. Kështu p.sh. romancieri gjerman Andreas Izquierdo shkruan më 2007 romanin “Mbreti i Shqipërisë”. Po kështu dy vite më vonë francez Fabrice Melquiot shkruan një tekst bazuar mbi këtë histori, e cila vihet në skenë në 2009 nga Camille & Manolo me aktorin David Mandineau në “Théâtre du Gymnase”, Marsejë. Më pas është skocezi Andrew Nicoll gjithashtu duke u mbështetur në historinë e rrëfyer nga Witte shkruan në 2012 “If you’re reading this I’m already dead” (Nëse e lexon këtë unë nuk do jem). Me gjasë ky është teksti i katërt fiksionant që trajton historinë e mendjes së Otto Witte, i cili vdiq duke pretenduar se kishte qenë për pesë dit mbret i Shqipërisë.







































