Google search engine
Home Politike Drejtesi Dosjet e bujshme në Kushtetuese, Vitore Tusha: Çdo vendim të respektohet, po...

Dosjet e bujshme në Kushtetuese, Vitore Tusha: Çdo vendim të respektohet, po tentohet të na përfshijnë në debate me ngjyrime politike

0
268

Gjykata Kushtetuese pritet të sjellë zhvillime të forta në politikën shqiptare. Dy prej çështjeve më delikate, ajo e shkarkimit të presidentit dhe zgjedhjet vendore janë në dorë të Kushtetueses dhe pritet që të sjellë zhvillime të forta në ditët në vijim. Deri më tani Kushtetuesja ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat kanë sjellë reagime të shumta politike. Pa dyshim që e njëjta gjë pritet të ndodhë si me shkarkimin e presidentit ashtu edhe me zgjedhjet vendore e për këtë arsye kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha ka theksuar edhe një herë se vendimet e kësaj gjykate nuk komentohen, por vetëm respektohen. Tusha ka marrë pjesë në aktivitetin me temë “Sfidat e implementimit të reformës në drejtësi pesë vjet pas miratimit të amendamenteve kushtetuese” i zhvilluar nga Qendra Europiane. Tusha gjatë fjalës së saj u ndal tek debatet e shtuara mediatike si dhe keqinterpretimet e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Ajo deklaroi se debatet e tilla jo konstruktive nuk i shërbejnë klimës së besimit që duhet ndaj sistemit të drejtësisë. Sipas saj, debatet me ngjyrime politike nuk duhet të ndërhyjnë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese. “Duke konstatuar edhe një debat të shtuar mediatik për vendimmarrje të caktuara të saj, gjykata ka reaguar rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me aspekte të veçanta të vendimmarrjes dhe ka ritheksuar rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj, duke u shprehur se ushtrimi i kësaj veprimtarie bëhet edhe më efektiv në një klimë besimi reciprok dhe luajal. Gjykata ka deklaruar publikisht se debatet jo konstruktive jo vetëm që nuk i shërbejnë kësaj klime të besimit, por, përkundrazi, mund të perceptohen si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj”, deklaroi ajo.

Tusha: Besoni te ne

Po ashtu Tusha gjatë fjalës së saj u shpreh se gjykata me anë të këtyre komunikimeve do që të mbrojë rëndësinë dhe mbështetjen e veprimtarisë së saj nga aktorët politikë, mediat dhe publiku. Sipas kryetares së Gjykatës Kushtetuese, dhënia e besimit në këtë fazë shërben për ringritjen akoma dhe më shumë të institucionit në funksion të forcimit të tij. “Gjykata, përmes këtyre komunikimeve, ka ritheksuar rëndësinë e drejtësisë kushtetuese në mbrojtjen e vlerave bazë të organizimit shtetëror dhe të lirive themelore të individit dhe rëndësinë themelore që ka mbështetja e veprimtarisë dhe autoritetit të saj nga aktorët politikë dhe institucionalë, nga subjektet që e vënë në lëvizje, nga mediat dhe publiku i gjerë. Kjo sepse dhënia e këtij besimi në këtë fazë i shërben ringritjes së autoritetit të saj, e cila në çdo rast shoqërohet me përgjegjësi të shtuar për gjykatën dhe secilin prej gjyqtarëve, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi”, u shpreh Tusha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here