Pas dështimit në 25 prill, nisin largimet në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ishte kandidati për deputet në qytetin e Vlorës, Luan Rama i cili me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook, deklaroi largimin nga të gjitha funksionet në LSI. Presidenti Ilir Meta më herët duke pasur dyshime për një tradhti të mundshme nga Luan Rama, u vendos vetë në Vlorë për ta ndjekur ecurinë e fushatës nga afër. Atëherë u krijuan një sërë debatesh ku LSI nuk po e promovonte më numrin 1 në listat e saj, pra Luan Ramën. Që atëherë duket se ka nisur krisja me LSI-në. Ndërkohë Rama deklaroi se është i vendosur për ta ndërprerë angazhimin e tij në strukturat drejtuese dhe forumet e LSI. Sipas tij, nuk ka justifikim për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit. “Humba në zgjedhje, largohem nga të gjitha funksionet në LSI. Drejtuesi mban përgjegjësi edhe kur nuk është përgjegjës. Pa asnjë mëdyshje, në përputhje të plotë me parimet dhe kodin tim moral dhe politik, sipas të cilit drejtuesi mban përgjegjësi edhe kur nuk është përgjegjës, kam vendosur të ndërpres angazhimin tim prej të gjithë funksioneve dhe përgjegjësive partiake të përfaqësimit në strukturat dhe forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke marrë në këtë mënyrë përgjegjësitë që më takojnë për humbjen e LSI-së në Vlorë. Pavarësisht rrethanave specifike që u krijuan në Vlorë, unë nuk mund të justifikohem, edhe pse u përpoqa të punoj ndershmërisht dhe me shumë përkushtim”, tha ai.
Reagon Manjani
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai u shpreh se Luan Rama nuk ka asnjë përgjegjësi politike për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Manjanit, Rama në Vlorë u shpall një tradhtar nga LSI ku kjo e fundit kërkoi që ai të mos votohej. Duket se Manjani ka goditur fort Metën, pasi ai nisi fërkimet me Luan Ramën. “Luan Rama, pavarësisht arsyeve që parashtron në dorëheqjen së Tij nga detyrat partiake, nuk ka asnjë përgjegjësi politike për humbjen e mandatit të LSI në Vlorë. Në parim shqiptarët në zgjedhjet e fundit gjykuan LSI, jo kandidatët e saj. E çfarë gjykimi, pa!? Në Vlorë, ekuacioni u bë edhe më i vështirë kur 2 javë para ditës së votimit Luani u shpall “tradhtar”!!!! Se kë e çfarë tradhtoi Luani një dreq e di!? Them dreq se nuk dua të ngatërroj zotin me këto punë. Të shpallesh armik para votimit, të dilet në thirrje publike “mos votoni Luanin” dhe, të mendosh të marrësh dhe mandat, këtë vetëm një politikë e çakërdisur e bën”, u shpreh ai. Manjani u shpreh se Rama ishte një përfaqësues politik të cilin LSI e shpalli armik përpara votimit. Sipas tij, Rama nuk ka pse sqarohet për dorëheqjen pasi nuk është i dorëhequr, por i tradhtuar nga partia e tij. “Luani nuk ka asnjë përgjegjësi. Ai shkoi atje si përfaqësues politik dhe u shpall armik nga partia e tij, mu para votimit. LSI bënte thirrje të votohej nr. 2 i listës. Luani s’ka përse shpjegohet gjatë për dorëheqjen e Tij, sepse ai nuk është i dorëhequr, por i tradhtuar! I tradhtuar, por edhe i dënuar për tradhti”, tha Manjani.










































